Pentagoni po zhvendos anije luftarake dhe burime të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit dhe të trupave amerikane nga ndonjë kundërpërgjigje e mundshme nga Irani. Këtë e raporton New York Times, duke cituar disa zyrtarë amerikanë.
Sipas këtyre burimeve, shkatërruesi amerikan USS Thomas Hudner ka marrë urdhër të zhvendoset në pjesën lindore të Detit Mesdhe, dhe një tjetër anije e të njëjtit lloj pritet të ndjekë të njëjtën rrugë së shpejti.
Po ashtu, zyrtarët theksojnë se Forcat Ajrore të SHBA mund të zhvendosin në ditët në vijim avionë luftarakë në rajon, si pjesë e përgatitjeve për të përballuar çdo rrezik të mundshëm që mund të vijë pas sulmeve kundër Iranit.