Të qenit deputet nuk është thjesht një titull apo një rol ceremonial, është një angazhim i përditshëm për të sjellë vlerë dhe ndikim real në jetën e qytetarëve. Me këtë frymë nisi edhe rrugëtimi formues i deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, të cilët pas një takimi me Kryeministrin Edi Rama në ambientet e qeverisë, këtë të premte u mblodhën në selinë rozë për të marrë pjesë në sesionin e parë të Akademisë Politike të PS-së.

Pikënisja e këtij cikli u shënua nga lektori i parë: Fatmir Xhafaj, një prej figurave më të konsoliduara brenda grupit parlamentar socialist. Në një trajnim 90-minutësh, ai ndau me gjeneratën e re perspektivën e tij mbi “Rolin e Deputetit dhe Etikën e Përfaqësimit në Parlament”.

Duke folur për median, Xhafaj theksoi se nuk e sheh akademinë si një formë klasike mësimi, por si një hapësirë për shkëmbim përvoje:
“Nuk jam këtu për të dhënë mësim, sepse nuk kam përballë nxënës, por kolegë. Në çdo profesion, ata që kanë kaluar më shumë nëpër rrugëtimin institucional, përpiqen të ndajnë ç’kanë mësuar me ata që nisin tani.”

Deputetet më të reja, si Marjana Koçeku (e njohur ndryshe si “Neomalësorja”) dhe Sara Mila, u shprehën entuziaste për këtë nisje, duke e parë akademinë si një mundësi për të ndërtuar bazat e duhura për një përfaqësim dinjitoz.
“Është një privilegj dhe një e drejtë e fituar me përgjegjësi, jo një zbukurim. Jam gati të mësoj dhe të kontribuoj”, tha Koçeku.
“Ne vijmë nga fusha të ndryshme, por jeta parlamentare ka specifikat e veta – kjo akademi na përgatit për to”, shtoi Mila.

Dy lektorët e tjerë që pritet të kontribuojnë në formimin politik të grupit janë Niko Peleshi, i cili do të fokusohet te menaxhimi i grupit parlamentar, dhe Erion Braçe, i cili do të ndihmojë deputetët e rinj në ndërtimin e lidhjeve efektive me komunitetin dhe zgjedhësit.

Programi i Akademisë do të zhvillohet intensivisht çdo fundjavë deri më 20 korrik, me pjesëmarrjen e një sërë figurash me eksperiencë që do të ndihmojnë në konsolidimin e brezit të ri të ligjvënësve socialistë.