Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimet tjera që kanë natyrë të njëjtë me te të marra në seancat paraprake dhe të mëpastajme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar ‘transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025’”, të parashtruar nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit.

Sipas këtij aktgjykimi, ku thuhet: “Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit”.

“Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij”, tha Gjykata Kushtetuese.