Në Iran regjimi i Ajatollah Ali Khamenei ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj atyre që dyshohet se kanë spiunuar tek Mossadi izraelit. Gjatë 24 orëve të fundit, agjentët e Khameneit kanë arrestuar në mënyrë arbitrare njerëz që besojnë se kanë bashkëpunuar me izraelitët, duke i “gjykuar” menjëherë dhe duke i ekzekutuar.

Numri i personave të arrestuar nga shërbimi i inteligjencës së Gardës Revolucionare me akuzën e spiunazhit për Izraelin mbetet i panjohur, ndërsa të hënën ndodhi ekzekutimi i një burri që më parë iu nënshtrua torturave.

Rasti i tij i shtohet, sipas një raporti nga Economic Times, një numri të panjohur rastesh të ngjashme ku të gjithë të pandehurit “rrëfyen” se kishin bashkëpunuar me Mossadin izraelit.

Depërtimi i shërbimit sekret famëkeq izraelit thellë brenda Iranit teokratik për shumë vite, sipas asaj që dihet, dhe sulmet mbresëlënëse që ka kryer, e kanë tmerruar shërbimin e inteligjencës së Khameneit.

Agjentët e tij shohin agjentë të Mossadit kudo dhe për 24 orët e fundit ata janë angazhuar në një gjueti shtrigash sipas linjave të Inkuizicionit në Mesjetë.

Ekzekutimet nuk po kryhen publikisht për shkak të luftës, gjë që regjimi i mullahëve do ta dëshironte shumë, me qëllim që t’i terrorizonte edhe më shumë qytetarët. Gjithashtu, mbetet e panjohur nëse të ekzekutuarit kishin lidhje me agjentë izraelitë, apo thjesht ndodheshin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar dhe u arrestuan.

Sipas regjimit, të dyshuarit përfshijnë ata që ecin duke mbajtur syze dielli, maska, ata që mbajnë çanta të mëdha dhe ata që drejtojnë kamionë ose kamionçina të mëdha bujqësore, si dhe ata që shihen duke filmuar instalime ushtarake ose bërthamore dhe zona industriale.

Mossadi ishte infiltruar thellë në Teheran me skalone agjentësh të tij për vite me radhë. Skalone ku secili kishte një mision specifik për të kryer dhe që përfshinin vrasës, operatorë dronësh, ekipe mbikëqyrjeje dhe rekrutues.

Këta të fundit ishin ata që dyshohet se arritën të tërhiqnin shumë disidentë iranianë, të cilët i ndihmuan në më shumë se disa raste dhe në misione që e lanë komunitetin ndërkombëtar pa fjalë, siç ishte ekzekutimi i drejtorit të programit bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh.

Sipas zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë që i njohin shërbimet sekrete, vendimi përfundimtar për t’i dhënë dritën jeshile këtij operacioni u mor një vit para se të kryhej.

Në misione të tilla me vështirësi të jashtëzakonshme, Fahrizadeh u vu nën mbikëqyrje të ngushtë nga Mossadi dhe iranianët e rekrutuar nga izraelitët.

Të gjitha lëvizjet e tij u shqyrtuan me kujdes dhe pas disa muajsh mbikëqyrjeje të vazhdueshme, Mossadi e dinte agjendën e tij të përditshme, zakonet, numrin e truprojave që kishte dhe rrugët që ndiqte për të shkuar në punë ose në shtëpinë e tij verore.

Pjesa tjetër u kujdes nga Kidon, skuadra e padukshme e Mossadit, me një sulm mahnitës që shkroi një tjetër kapitull të shkëlqyer operativ në historinë e saj.

Wall Street Journal, me një hetim të gjerë gazetaresk, zbuloi detaje të panjohura të operacionit të kryer nga Mossadi para sulmit ndaj Iranit.

Media amerikane bën me dije se ky ishte një mision disavjeçar përmes të cilit u futën qindra dronë të pajisur me eksplozivë në shtetin e Mullahëve, duke kryer një operacion kontrabande, në thelb, përmes kanaleve tregtare.

Në të njëjtën kohë, Mossad vendosi agjentë të trajnuar mirë pranë objekteve të mbrojtjes ajrore dhe lëshimit të raketave dhe u kujdes të neutralizonte dhjetëra prej tyre kur filloi sulmi izraelit.

Kështu, F-35 nuk hasën pothuajse asnjë rezistencë kur shënjestruan objektet bërthamore të Iranit , ndërsa një karakteristikë e operacionit është se 70 luftëtarë operuan për dy orë thellë brenda territorit iranian, duke përhapur kaos.