Sot ka nisur zyrtarisht rinumërimi i votave për qarkun Fier, pas përfundimit të qarkut Tiranë. Në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë hapur 587 kuti votimi, për të verifikuar saktësinë e rezultateve të shpallura fillimisht në një nga qarqet më të mëdha të vendit, që përfaqësohet me 16 mandate në Kuvend. Procesi i rinumërimit është kërkuar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga Adriatik Lapaj, i cili pretendon të marrë një mandat shtesë në këtë qark.
Nëse rezultati përmbyset, kandidati i “Shqipëria Bëhet”, Azmer Duleviç, pritet të zërë vendin në Kuvend, duke zëvendësuar socialistin Ramion Kurti.
Zegjine Çaushi kishte 64 vota më shumë se Maldrita Bardho pas 11 majit, ndërkohë nga rinumërimi deri tani Bardhos i hiqen 9 vota dhe diferenca shkon në 73.