Një situatë që ka ngjallur reagime është regjistruar me rastin e shpërndarjes së biletave për ndeshjen e shumëpritur Shqipëri–Serbi. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që biletat të ndaheshin me short, me qëllimin që të gjithë qytetarët të kishin mundësinë e barabartë për të qenë pjesë e stadiumit.

Megjithatë, ky proces u shoqërua me dyshime të forta kur u bë e ditur se një prej grupeve më të zëshëm të mbështetësve të Kombëtares, “Tifozat Kuqezi”, kishin mbetur jashtë. Justifikimi zyrtar ishte pikërisht sistemi i shortit, por pamjet nga stadiumi dhe deklaratat publike kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u zbatua ky parim.

Në tribuna u panë emra të njohur të botës së spektaklit dhe medias, si Erjola Doçi, Rike Roçi, Luana dhe Marina Vjollca, Juliana (Xhuli) Nura, si edhe figura publike të tjera si Ermal Mamaqi me Amin, Arbër Hajdari, zyrtarë shtetërorë, ministra, analistë dhe drejtues të institucioneve kyçe, përfshirë edhe përfaqësues të drejtësisë dhe shërbimeve të inteligjencës.

Kjo pranësi ka shtuar ndjesinë e pabarazisë dhe ka ngritur dyshime se përzgjedhja nuk ka qenë rastësore. Të gjitha këto reagime morën peshë kur ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura, e ftuar në një emision në Kosovë, rrëfeu se biletat ia kishte siguruar vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka.

“Nuk e di a mund ta them publikisht, por i kam bërë një telefonatë Armand Dukës. Nuk e kam marrë me short, por përmes kontakteve që kam në Shqipëri”, tha ajo, duke shtuar se ishte pajisur me nëntë bileta.

Ajo e justifikoi praninë e saj me faktin se është ndjekëse e rregullt e Kombëtares dhe ka lidhje të forta me sportin, pasi është rritur në një familje sportistësh.

Deklarata të tilla dhe mungesa e transparencës në procesin e shpërndarjes së biletave kanë risjellë në vëmendje kritikat e kahershme mbi mënyrën se si menaxhohet Federata Shqiptare e Futbollit dhe roli i Armando Dukës në drejtimin e saj. Për shumëkënd, FSHF është shndërruar në një strukturë me karakter të theksuar personal, ku edhe Kombëtarja trajtohet më shumë si pronë private sesa si një simbol kombëtar i përbashkët.

Në një moment kur ndjenja e përkatësisë dhe pasioni për Kombëtaren bashkon shqiptarët kudo, këto zhvillime lënë një shije të hidhur për ata që ndihen jashtë portës së stadiumit – jo për mungesë dëshire, por për shkak të mungesës së mundësisë.