Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, në bashkëpunim me Policinë Elbasan, ka goditur një skemë të mirëorganizuar mashtrimi tatimor dhe falimentimi të 7 fasonerive, duke arrestuar pesë persona, tre prej të cilëve shtetas italianë.
U zulua se të arrestuarit përdornin shoqëri tregtare për të shmangur pagesën e detyrimeve tatimore dhe për të fshehur të ardhura me vlerë mbi 14 milionë lekë. Nga analiza e llogarive bankare u konstatuan tërheqje të pajustifikuara mbi 2.1 milionë euro. Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar 7 fasoneri, 12 llogari bankare, subjekte tregtare dhe automjete që lidhen me këtë aktivitet kriminal.
Mes të arrestuarve janë administratorët Algert Kahu, i cili administronte dy fasoneritë ‘GEA & AF’ dhe ‘GEA FJ’ në Tiranë, Zyhra Kreci, që kishte në administrim subjektin ‘TOMAIFICIO VITTORINI’ në Elbasan, si dhe 60-vjeçari Giuseppe Lamacchia Ribeje, i kapur në Rinas gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi, i cili kishte në pronësi dy subjekte në Durrës dhe Elbasan. Ndërkaq, një 31-vjeçare ekonomiste është lënë në arrest shtëpie.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë të organizuar kriminale.
Njoftimi i policisë:
Çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ekzekutohen masa sigurie për 4 shtetas.
Njëri nga të akuzuarit, shtetas italian, u kap në PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.
Gjithashtu, vihet sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.
Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Prokurisë së Elbasanit:
Krijuan një skemë mashtrimi mes shoqërive tregtare për të shmangur detyrimet tatimore, me kërkesë të Prokurorisë Elbasan arrestohen pesë persona, mes të cilëve 3 shtetas italianë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për pesë persona, tre prej të cilëve shtetas italianë dhe ‘Arrest shtëpie’ për një shtetase tjetër të dyshuar për veprat penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falimentim i provokuar”, ‘Mashtrimi’, “Shpërdorim i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 181, 193, 143, 164 dhe 180 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve mbi procedimit penal nr. 1462 të vitit 2024, të referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u zbulua ekzistenca e një skemë mashtrimi të mirorganizuar ku asete, punonjës dhe aktivitet ekonomik janë transferuar nga një subjekt në tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe fiktivizimin e operacioneve financiare. Totali i detyrimeve tatimore të papaguara për subjektet rezulton në mbi 14 milionë lekë, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare, janë konstatuar tërheqje mbi 2.1 milion euro, të pajustifikuara dhe pa dokumentacion tatimor mbështetës. Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal, me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nr.351, datë 02.06.2025 janë vendosur nën sekuestro konservative shtatë subjekte tregtare, disa llogari bankare dhe dhjetë automjete. Shtetasit ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurimit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe persona të tjerë, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi duke simuluar falimentin e subjekteve dhe krijimin e tyre në mënyrë fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar. Subjektet lidhen direkt dhe indirekt me njëri-tjetrin, duke qënë se aktiviteti i tyre në fushën e fasonerisë, aksioneret dhe administratorët e shoqërive, si dhe punonjësit janë të njëjtë në të gjitha shoqëritë. Asetet kanë kaluar nga një shoqëri te tjetra dhe me anë të veprimeve aktive, shtetasit dhe subjektet nën hetim kanë sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm. Në kuadër të këtij procedimi penal janë duke u kryer hetime metoda speciale të hetimit, pasi ka dyshime së në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të organeve tatimore, doganore dhe bashkive ku këto subjekte ushtronin aktivitetin e tyre, e konkretisht në qytetet Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.