Durrës-Vijojnë kontrollet e Policisë në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”, që ka si qëllim lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare.
Gjatë verifikimeve të fundit, Policia e Durrësit dhe Kavajës kanë liruar dy hapësira publike në plazhin e Vilë Bashtovës dhe në plazhin e njohur si “Rëra e Bardhë”, te Kepi i Rodonit, të cilat ishin zënë në mënyrë të paligjshme me çadra dhe shezlongë nga disa shtetas.
“Në total, u sekuestruan 170 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vendosur pa lejen përkatëse”-thuhet në njoftimin e policisë.
Pas verifikimeve, janë hetuar penalisht në gjendje të lirë 6 persona, K. I., 19 vjeç, A. B., 48 vjeç, G. M., 48 vjeç, Xh. Gj., 28 vjeçe, I. B., 64 vjeç, E. L., 37 vjeçe
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Vilë Bashtovës dhe në plazhin e quajtur “Rëra e Bardhë”, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 170 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 6 shtetas.
Shërbimet e komisariateve të Policisë Durrës dhe Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në dy hapësira publike, në plazhin e Vilë Bashtovës dhe në plazhin e quajtur “Rëra e Bardhë”, te Kepi i Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan në total 170 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 6 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. I., 19 vjeç, A. B., 48 vjeç, G. M., 48 vjeç, Xh., Gj., 28 vjeçe, I. B., 64 vjeç dhe E. L., 37 vjeçe, banues në Durrës, Kavajë dhe Tiranë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.