Katër grupe kriminale me drejtues shqiptarë, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike drejt Finlandës, janë goditur nga autoritetet falë një operacioni të përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe institucioneve të drejtësisë finlandeze.

Dy prej drejtuesve të këtyre grupeve janë nga Vlora, ndërsa dy të tjerë vijnë nga Kuçova dhe Berati, por jetonin në Tiranë.

Operacioni është zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit dhe ka çuar në arrestimin e nëntë shtetasve shqiptarë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Njëri prej tyre dyshohet se ndodhet jashtë vendit.

Bie në sy fakti që një nga të përfshirët në këtë rrjet kriminal ishte një mësues historie në Shqipëri, pa precedentë penalë të mëparshëm, çka e bën rastin edhe më të pazakontë.

Kjo është hera e parë që një grup i strukturuar kriminal shqiptar ka pasur si objekt trafikun e drogërave sintetike drejt vendeve nordike. Të gjithë të dyshuarit ndaj të cilëve është lëshuar masa e sigurimit janë shtetas shqiptarë dhe disa prej tyre kanë qenë më parë të dënuar në Finlandë.