Agim Nesho ka sqaruar edhe njëherë shkrimin e tij që u botua nga Fox News, ku kritikohet ashpër Edi Rama dhe pushteti i tij.
Gjatë një interviste, Nesho deklaroi se fillimisht u frymëzua nga Çim Peka, pasi ai është i pari njeri që e ka quajtur Edi Ramën, “Ramaduro”, pra si Maduro i Venezuelës dhe pas Çim Pekës, këtë përcaktim e përdori edhe ambasadori në shkrimin e famshëm.
Nesho tha se fillimisht e ka botuar artikullin në portalin Syri, por atje nuk ka marrë vëmendjen e duhur, ndërsa tani është bërë me dije e gjithë Amerika për regjimin e Edi Ramës dhe pikërisht ky fakt, bashkë me përcaktimin “Ramaduro”, i ka “djegur” tej mase kryeministrit.
“Dua të them, që frymëzimi për këtë artikull ka qenë pikërisht, përcaktimi i Çim Pekës, “Ramaduro”, i cili është një përcaktim që i bëhet Edi Ramës për formën e një regjimi të instaluar në Shqipëri, që nuk është asgjë më tepër sesa regjimi i Maduros në Venezuelë. Në këtë kuptim, e kam shkruar edhe te Syri, rreth tre javë përpara, të njëjtin artikull, me disa diferenca të vogla. Ajo që u ka djegur shumë, sidomos regjimit, është përcaktimi që i bëhet udhëheqësit të madh global”, tha Nesho.
Nesho sugjeroi se ky shkrim i tij, është lexuar në nivelet më të larta vendimarrëse në SHBA. Nuk është ende e qartë, por ndoshta deri edhe vetë Donald Trump, mund ta ketë lexuar këtë shkrim, paralel me diskutimet që po zhvilloheshin për bombardimin e Iranit dhe problemet në Lindjen e Mesme.
“Është ndërgjegjësim i opinionit publik në të gjitha nivelet, deri në nivelin vendimarrës të SHBA-ve, se cila është gjendja reale në Shqipëri. Kjo ishte ajo që kishte vlerë për artikullin”, shtoi Nesho për portalin e familjes Berisha, në një intervistë të titulluar “Fox News, opinioni që tronditi SHBA-në dhe Shqipërinë”.