Burime nga Spitali Onkologjik konfirmuan për Report Tv se një nga pajisjet kryesore të trajtimit për pacientët me sëmundje tumorale, Akseleratori Linear 2, ndodhet jashtë funksionit prej disa ditësh. Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një defekt teknik, ndërsa riparimi është ende në proces, me pritshmërinë për t’u rikthyer në punë javën e ardhshme.
Ky nuk është rasti i parë kur aparatura e terapisë me rrezatim ka dalë jashtë funksionit, çka sjell ndërprerje të menjëhershme të trajtimit për qindra pacientë nga e gjithë Shqipëria që mbështeten tek infrastruktura publike për radioterapi. Kujtojmë se edhe në të kaluarën, terapitë janë ndërprerë për shkak të problemeve teknike, siç ishte rasti i dokumentuar nga Report Tv, ku dera e dhomës bunker mbeti e hapur për ditë të tëra, duke e pamundësuar përdorimin e pajisjes.
Në përgjigje të interesimit publik dhe medias, QSUT ka lëshuar një deklaratë zyrtare, duke mohuar pretendimet për probleme të vazhdueshme dhe duke i quajtur raportimet si “të pavërteta dhe dizinformuese”.
Sipas deklaratës, akseleratori i dytë ka pasur një ndalesë të përkohshme që nga data 27 qershor për shkak të një defekti teknik, ndërsa është ndërhyrë menjëherë nga inxhinierët dhe rikthimi në funksion pritet të hënën.
Përsa i përket pajisjes së brakiterapisë, QSUT pohon se ndërprerja ka qenë e shkurtër dhe është shkaktuar nga një sinjal automatik që kërkonte mirëmbajtje rutinë. Në reagim thuhet se është kontaktuar menjëherë Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe se trajtimet kanë rifilluar më 23 qershor.
Megjithatë, ajo që mungon në deklaratën zyrtare është një adresim konkret i shqetësimeve të përsëritura për mungesë të qëndrueshmërisë në funksionimin e pajisjeve. QSUT nuk ofron shifra mbi numrin e pacientëve të prekur gjatë ndërprerjeve, as nuk përmend përse defektet teknike janë kthyer në një problem ciklik. Po ashtu, nuk ka asnjë reagim për gjetjet e hetimit të Prokurorisë së Tiranës në verën e vitit 2024, që ngriti dyshime të rënda për mosvënien në punë të aparaturës së brakiterapisë dhe mundësinë që pacientët të jenë shtyrë drejt sektorit privat për trajtime jetike.
Retorika e përdorur nga QSUT, ku kritikohet “presioni i padrejtë” dhe flitet për “informacione jashtë kontekstit profesional”, bie në kontrast me nevojën për transparencë dhe përgjegjshmëri në një fushë kaq jetike për shëndetin publik siç është onkologjia. Në vend të një qasjeje të hapur për të adresuar mangësitë dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, reagimi duket më tepër i përqendruar në ruajtjen e imazhit institucional.
Në një sistem ku të sëmurët me kancer shpesh varen nga funksionimi i vetëm një aparature për vijimin e trajtimit, çdo defekt teknik nuk është thjesht “ndalesë për mirëmbajtje”, por një çështje jetike që kërkon përgjigje të qarta dhe masa të qëndrueshme, përtej përgënjeshtrimeve rutinë./Lexo.al