Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një mesazh të qartë në rrjetet sociale duke theksuar rëndësinë e forcimit të mbrojtjes si garanci për paqe: “Investimi siguron forcë + Forca siguron paqe = Paqe përmes forcës.”
Postimi përmban pesë arsye kryesore pse aleatët, përfshirë Shqipërinë, duhet të rrisin investimet në fushën e mbrojtjes:
Paqe përmes forcës – Ushtritë me burime të mjaftueshme dëshmojnë vendosmëri, duke ulur rrezikun e përshkallëzimeve ushtarake.
Përshtatje në një mjedis dinamik sigurie – Përballë forcimit të Rusisë, lidhjes së Koresë së Veriut me Moskën, dhe sfidave nga Irani dhe Kina, fleksibiliteti dhe përgatitja janë thelbësore.
Përballja me kërcënimet moderne – Investimet ushtarake nxisin teknologjitë më të përparuara si inteligjenca artificiale, hapësira, kibernetika dhe sistemet autonome.
Kontribut në zhvillimin ekonomik – Shpenzimet në mbrojtje sjellin përfitime afatgjata për ekonominë duke gjeneruar vende të reja pune.
Detyrimet ndaj NATO-s – Aleanca e Atlantikut të Veriut u themelua mbi angazhimin e përbashkët për të investuar në kapacitetet mbrojtëse dhe për të ruajtur paqen kolektive.
Ky mesazh vjen në një kohë me sfida të reja në arenën ndërkombëtare, ku përgatitja ushtarake dhe angazhimi për sigurinë mbeten prioritet i përbashkët për aleatët e NATO-s.