Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) vendosi sot me iniciativë të dy anëtarëve të tij të hapen kutitë e dy KZAZ-ve të qarkut Durrës, me numër 21 dhe 22, të gjitha kutitë e diasporës, si dhe 126 kuti të tjera për verifikimin e votave dhe materialeve zgjedhore të ankimuara dhe pretenduara nga koalicioni PD-ADSHM. Do të verifikohen gjithashtu edhe 60 kuti të tjera të pretenduara në ankimim nga Partia Lëvizja e Legalitetit dhe kandidati i PD-së, Aulon Kalaja.

Ky vendim i KAS vjen pas pretendimeve të Kalasë për devijim votash në favor të kandidatit Arjan Ndoja dhe të tjerëve, ku sipas tij dhe përfaqësuesit ligjor, në pamjet e numërimit votat lexoheshin ndryshe dhe në procesverbal shënoheshin ndryshe. Kalaja pretendon se ky devijim ka prekur jo vetëm atë, por edhe 13 kandidatë të tjerë.

KAS shqyrtoi filmimet e dorëzuara nga Kalaja dhe administrata e KQZ konfirmoi disa parregullsi të gjetura në kutitë e verifikuara. Përfaqësuesja e PS-së, Elena Xhinaj, e kundërshtoi pretendimin se këto parregullsi çojnë në ndryshimin e rezultatit final.

Çfarë ndodhi më herët?
Aulon Kalaja dhe përfaqësuesi i tij paraqitën filmime dhe pretenduan devijime të votave në disa qendra numërimi, duke kërkuar hapjen e të gjitha kutive për transparencë. Kjo solli një debat mes palëve, me KAS që kërkoi më shumë prova për të konfirmuar nëse këto parregullsi çonin në ndryshim të rezultatit final. Vetë Kalaja këmbënguli se bëhej fjalë për manipulime që duhej të hetoheshin dhe jo vetëm për interes personal, por për të vendosur një precedent transparence për kandidatët e tjerë.

Në fund, pas verifikimeve të para, KAS vendosi të hapen të gjitha kutitë e kërkuara për verifikim, përfshirë edhe ato të diasporës. Hetimi i plotë dhe procedurat e mëtejshme do të pasojnë, përfshirë edhe referimin e rasteve të parregullsive në SPAK./Lexo.al