Jo vetëm në Tiranë, por demokratët, nuk e kursejnë Shqipërinë as në mes të Strasburgut.

Kolegji zgjedhor vulosi të mërkurën rezultatet e zgjedhjeve për katër qarqe, por Oerd Bylykbashi, shfrytëzoi mbledhjen e 19-të Komitetit të Stabilizim Asocimit për të drejtuar akuza ndaj trupës së gjyqtarëve të cilët rrëzuan kërkesën e demokratëve për pavlefshmeri të votimeve.

“Të gjithë e dimë që në Shqipëri këto institucione nuk janë të pavarura. Nuk është kështu vetëm për çështjen e zgjedhjeve, në fakt, nuk ka asnjë institucion të vetëm të pavarur në vend. Kjo ndodh sepse partia në pushtet ka arritur të kapë çdo institucion, duke përdorur pushtetin që ka në Parlament për të emëruar, shkarkuar apo edhe për të ndryshuar ligjet kur ka qenë e nevojshme për të realizuar këtë kapje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor i Apelit në Tiranë nuk bëjnë përjashtim.”

Përgjigjen e mori nga Toni Gogu, i cili rikujtoi punën e bërë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Besimi që kemi në ato institucione që kemi ndërtuar së bashku me PE me shumë mund në 30 vitet e fundit, sidomos në 10 vitet e fundit përmes reformës madhore në drejtësi, besoj se duhet të mbetet i paprekur dhe iu siguroj që në fund fare vullneti i popullit shqiptar në ato kuti që po rinumërohet, do të jetë i patjetërsueshëm.”

Në ndihmë, demokratëve u erdhi edhe Fredi Beleri. Pas shërbimit që I bëri Berishës në fushatë, eurodeputeti grek, u ankua në Strasburg për SPAK.

“Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë. Qeveria përmes prokurorit ka mbajtur nën presion zotin Berisha, udhëheqësi i opozitës. Meta është në burg. Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit.”

Këto debate që u bënë në sy të parlamentarëve europiane nuk kaluan pa një këshillë nga ta.

“Këtu në parlamentin europian nuk i shikojme dallimet por të përbashkëtat. Ne duhet ti mbajmë sytë tek horizonti 2030. Sigurisht, do të ketë gjithmonë njërëz me mendime të ndryshme, parti me përparësi të ndryshme, por ne rast se biem dakort për objektiva afatgjata, atëherë ne gjejme konvergjencë.”/