Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ngre alarmin për mungesën e mbi 130 mijë fletëve votimi të papërdorura në zgjedhjet lokale të 11 majit 2025. Sipas PD-së, bazuar në të dhënat zyrtare të vetë KQZ-së, rezulton se janë prodhuar gjithsej 3.534.792 fletë votimi, ndërsa 1.463.204 janë përdorur, 1.935.834 janë deklaruar si të papërdorura, dhe 5.000 si të dëmtuara. Diferenca, sipas opozitës, lë jashtë llogarive 130.754 fletë votimi, të cilat nuk përputhen me asnjë kategori zyrtare.

Në dokumentin e depozituar, PD-ASHM kërkon nisjen e hetimit administrativ urgjent dhe verifikim të plotë të të gjitha fletëve të votimit në kutitë e çdo qendre votimi në rang kombëtar. Opozita kërkon transparencë të plotë dhe sqarim për çdo fletë që nuk figuron e kategorizuar, duke e cilësuar situatën alarmante për integritetin e procesit zgjedhor.

Në reagimin e tij zyrtar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për fletë të munguara, por për pasaktësi teknike në procesverbalet e disa qendrave votimi. Sipas tij, numrit total të fletëve të papërdorura i duhen shtuar edhe ato të zonave me votim elektronik dhe ato ku raportimet kanë qenë të pasakta për shkak të gabimeve njerëzore apo teknike. Celibashi thekson se nuk ka asnjë indicie për manipulim apo humbje fizike të fletëve.

Pavarësisht kësaj përgjigjeje, PD vijon të këmbëngulë për një verifikim të thelluar, duke e konsideruar këtë diferencë si të pajustifikueshme dhe të rrezikshme për besimin publik te procesi zgjedhor.