Nga Ervis Iljazaj

Çdo subjekt apo edhe kandidat ka të drejtë të kërkojë rinumërimin e votave sepse këtë e përcakton ligji, por e gjitha kjo histori ngjan më shumë për të mbajtur gjallë fabulën e masakrës zgjedhore të ngritur nga Partia Demokratike se sa për të nxjerrë prova apo fakte të manipulimeve të zgjedhjeve. Edhe pasi disa kuti që janë numëruar deri më tani ka rezultuar njësoj si numërimi i parë me ndonjë ndryshim jo thelbësor për rezultatin.

Për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria nuk është në vitet dy mijë ku futeshin duart në kuti apo procesverbal gjatë procesit të numërimit. Tashmë numërimi i votave është ‘live’ dhe me kamera, kështu që vështirë se një komisioner mund të manipulojë votat që i sheh gjithë Shqipëria. Sigurisht mund të ketë ndonjë anomali gjatë numërimit, por në thelb rezultati është po ai. Partia Socialiste me të gjithë instrumentat që ka në dorë nuk do ta lejonte rinumërimin e votave nëse aty do kishte prova të ‘’krimit elektoral’’.

Aq më tepër që komisionerët e Partisë Demokratike nuk kanë bërë ndonjë shënim kur kanë firmosur procesverbalet apo ndonjë ankesë. Gjithsesi, nëse ka një manipulim të votave në Shqipëri, është e qartë se ai nuk bëhet gjatë procesit të numërimit të votave sepse çdo gjë monitorohet ‘live’ në sytë e të gjithëve. Manipulimi i votave në Shqipëri, apo deformimi i vullnetit të qytetarëve nëse ndodh, ndodh kohë përpara ditës së votimit apo numërimit.
Ndodh në mënyra të ndryshme, ashtu sikurse shkruhet në raporte ndërkombëtare. Për shembull duke përdorur administratën dhe ndikimin që ajo ka te njerëzit. Duke përdorur njerëz me pushtet, apo me ndikim në zona të caktuara, duke zhvilluar një inxhinieri elektorale klienteliste, apo duke falur gjoba tre ditë përpara zgjedhjeve. Mirëpo, të gjitha këto elementë mund të konsiderohen një mekanizëm për të prodhuar vota, por është vështirë për të bërë lidhjen e tyre me veprën penale të vjedhjes së votave.

Prandaj, beteja e Partisë Demokratike për rinumërinin e dy qarqeve të mëdha të vendit duket më shumë si një tentativë për të mbajtur gjallë idenë se votat janë vjedhur se sa për të rikuperuar ndonjë rezultat elektoral. Edhe vetë e dinë se gjatë numërimit nuk ndodh asgjë e tillë. Mirëpo, vështirësia në të cilën ndodhet, pas një humbje katastrofike, e detyron PD të zhvillojë një betejë që në fakt duket e sforcuar për të vërtetuar masakrën hipotetike zgjedhore.

Aq më tepër kur diferenca midis PS dhe PD në 11 maj është 30 mandate, si kurrë më parë ndonjëherë. Tentativat për të justifikuar një humbje kaq të thellë nëpërmjet rinumërimit të dy qarqeve më të mëdha të vendit rrezikon që t’i kthehet në ‘boomerang’ Partisë Demokratike nëse rinumërimi nuk nxjerr asnjë anomoli gjatë procesit të numërimit.

Ndërkohë që Partia Demokratike po rinumëron votat në Tiranë, Partia Socialiste është duke u organizuar dhe duke numëruar votat për zgjedhjet e ardhshme lokale. I gjithë procesi i rinumërimit duket më shumë si humbje kohe se sa do të sjellë ndonjë rezultat për Partinë Demokratike. Në vend që të fillojë sa më parë organizimin për zgjedhjet e ardhshme lokale humbet kohë duke zgjatur fabulën e farsës zgjedhore për humbejn e thellë të saj në 11 maj. Dhe këtë, e bënë thjesht në interes të liderishipit të saj. Jo vetëm të kryetarit, por edhe të gjithë drejtuesve politikë që janë përgjegjës për humbjen, dhe duhet të kishin dhënë dorëheqjen për këtë./liberale.al