Demokratët synojnë të përfitojnë mandatin e 14-të në Tiranë nga procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të qarkut më të madh në vend.

Drejtuesi politik i Tiranës për Partinë Demokratike, Belind Këlliçi, tha në një intervistë për RTSH se votat e demokratëve janë “grabitur” jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga “Mundësia” e Agron Shehajt.

“Do të kërkojmë në mënyrë të padiskutueshme mandatin e 14-të në qarkun e Tiranës, që i shkon Partisë Demokratike, pasi dihet tashmë botërisht që ky mandat ndahet me një grup votash mes PD-së dhe Partisë Socialiste apo partinë ‘Mundësia’,” shprehet drejtuesi i PD-së për kryeqytetin.

Por zgjedhjet kanë të dyja anët e medaljes: në njërën anë, manipulimet e kryera prej shumicës, sipas PD-së, dhe në anën tjetër performanca e kësaj force politike. Ndaj, për z. Këlliçi, demokratët duhet t’i nënshtrohen në vjeshtë procesit të analizës së brendshme.

“Do të duhet edhe që ne vetë të ulemi me njëri-tjetrin, me forumet e Partisë Demokratike, për të diskutuar dobësitë, problemet, hapësirat për t’u përmirësuar dhe, pa diskutim, për të hapur edhe më shumë dyert për të rinjtë dhe energjitë e reja në Partinë Demokratike,” theksoi Këlliçi.