Nga Mero Baze

Prej disa ditësh, Sali Berisha po i qan hallin ODIHR-it, duke pretenduar se është kërcënuar nga Igli Hasani. (Mendoni pak Iglin me thikë në dorë te dera e ODIHR-it!) Ligjërimi i Berishës, shpikja e një “fakti” dhe pastaj vijimi i komenteve mbi faktin e shpikur, nuk synojnë t’i qajnë hallin ODIHR-it e as ta mbrojnë atë. Përkundrazi. Ky është i vetmi “kërcënim” që Misioni i ODIHR-it po merr publikisht.

E gjithë ajo që bën Sali Berisha është një përpjekje për t’i dalë përpara raportit përfundimtar të ODIHR-it, që të gjithë e dimë si është, pasi shumica e tij është publikuar në raportet paraprake. Një raport që pranon se zgjedhjet ishin konkurruese, që ka vërejtje për sistemin zgjedhor, që bën thirrje për përmirësime, si në çdo palë zgjedhje, dhe që ka kritika për rastet kur janë verifikuar shkelje.

Edhe Sali Berisha e di, sepse e ka lexuar raportin.

Ajo që ai po bën ka të bëjë thjesht me faktin që, kur të dalë raporti dhe nuk do të ndodhë asgjë, ai të thotë: “A ju thashë që i ka kërcënuar ky Igli Hasani? Ja, shikojeni se çfarë raporti kot kanë bërë!”

Pra, është një përpjekje për të shantazhuar paraprakisht ODIHR-in që, ose ta bëjë raportin siç do Berisha, ose ndryshe ai nuk do ta njohë, por do të shpallë që janë shantazhuar.

E bëri këtë që në fillim me kreun e këtij misioni, duke e akuzuar se ka hequr pjesë nga raporti nën presionin e qeverisë. Thjesht është i shqetësuar që fantazitë e tij nuk gjejnë vend në raport.

Tani, vazhdimi i kësaj retorike është thjesht një përpjekje për të justifikuar pse broçkullat që thotë çdo ditë në orën 12:00 nuk janë në raport.

Pasi nuk arriti të delegjitimojë zgjedhjet, pasi dështoi me rinumërimin, pasi nxori në pah vjedhjet mes kandidatëve të PD-së, tani kërkon të shantazhojë ODIHR-in dhe ta delegjitimojë sipas mendjes së tij raportin përfundimtar kur të bëhet publik. Kaq është e gjithë kjo histori.

Është thjesht taktika e tij klasike dhe e lexueshme sa herë ka një problem. Kur ka gjyq me një gjyqtar, e sulmon personalisht. Kur ka hall me një prokuror, shpik histori me miliona që kanë shkuar në xhepin e tij. Tani që ka hallin se, si “misionar i Zotit”, nuk ka fituar, do të gjejë një alibi për të thënë që këta njerëzit në tokë nuk pyesin as për Zotin që ka dërguar Berishën në tokë për zgjedhje të lira.

Nuk është se kompleksohet ODIHR-i, as se do ndryshojë ndonjë gjë në raportin final. Problemi është që, deri atë ditë, ai të ketë çfarë të thotë, dhe pas asaj dite të kënaqet që ka “parashikuar” që ata janë “shantazhuar” dhe nuk kanë mbrojtur humbjen madhështore të Berishës.

Pra, i vetmi shantazh ndaj ODIHR-it është kjo shpikje e një shantazhi mbi ODIHR-in. Por, si çdo shpikje e Berishës, është vetëm për konsum të brendshëm – nga dera e SHQUP-it e deri te zyra e Flamurit./Tema