Një debat verbal ka ndodhur sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) mes kandidates së Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Ilirjana Kuçana, dhe anëtarit të KAS-it, Ledio Braho. KAS ishte mbledhur për të diskutuar ankimimin e bërë nga PD për pretendimet për shkelje në qarkun Durrës.

Gjatë këtij shqyrtimi në seancë u diskutua dhe kërkesa për ankimim e bërë nga kandidatja në listën e hapur lidhur me votën preferenciale në qarkun Durrës, Ilirjana Kuçana.

Si fillim, Braho i drejtohet përfaqësuesit ligjor të PD, Franc Nuri, duke cituar Kodin Zgjedhor se përfaqësuesi ligjor i PD-së nuk mund të vijë bashkë me kandidaten për shqyrtimin e ankimimeve.

Sipas tij, një subjekti i lejohen vetëm tre përfaqësues, që në fakt janë Nuri, Kaso dhe Logu. Braho kërkonte mos pjesëmarrjen e Kuçanës si përfaqësuese bashkë me Nurin në tryezë, gjë e cila lindi debat.

Ilirjana Kuçana merr fjalën duke reaguar ndaj ironisë dhe toneve të përdorura nga Braho.

Kuçana: Atëherë, ju falënderoj shumë. Jam e qartë. E njoh mirë, besoj, pjesën edhe të kuptimit, se edhe në profesion jam pedagoge, kështu që nuk do ishte kaq e nevojshme zgjatja, e kuptova qartë. Ajo çfarë pse jam unë sot këtu, pra kuptohet që pas rrëzimit të kërkesës tuaj dhe ironisë së përfaqësuesit tim politik, unë dua t’ju them se jam si palë e interesuar, jo për rinumërimin, se asaj unë do t’i shkoj në Gjykatë Kushtetuese. Jam si palë e interesuar sot disa herë për shkak se e kam emrin në raport disa herë lidhur me denoncimet.

Por ndërhyrja e saj ndërpritet nga kryetari Çefa.

Çefa: Tani nuk mund të rrijnë kandidatët dhe të asistojnë përfaqësuesit ligjorë. Përfaqësuesi ligjor është ai që do flasë.

Kuçana vijon me tone të larta.

Kuçana: Kjo është qesharake tani, ne nuk mund të bëjmë lojë kungulleshkash këtu!

Replika vjen sërish nga Braho, i cili i kundërshton të drejtën e saj për të folur nëse nuk është subjekt zgjedhor.

Braho: Nuk je e qartë, mesa shoh. Është neni 33 që e përcakton se duhet të jetë çdo subjekt zgjedhor. Edhe ti nuk je subjekt zgjedhor. Ti je kandidate. Tani flisni me Sekretarin e Përgjithshëm të partisë, që nëse ai revokon Logun ose Kason, hajde ti. Tani ajo që unë nuk kuptoj është që Kuçana, zoti Nuri nuk ka besim te ty?

Kuçana: Tani zoti Braho

Braho: Po pse flet ti?

Kuçana: Tani mu drejtove dhe më citove zonja Kuçana. Kam shumë besim dhe jam shumë krenare për punën e zotit Nuri./lexo.al