Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, është në qendër të vëmendjes në vendlindjen e tij pasi është fotografuar disa herë në shoqërinë e një vajze shumë më të re në moshë, duke nxitur spekulime për një lidhje të re romantike.

64-vjeçari, i cili është divorcuar pesë herë, është parë shpesh në publik me modelen 26-vjeçare, Theresa Sommer. Ata janë parë bashkë duke ndjekur ndeshje futbolli, duke udhëtuar me makinë dhe madje edhe në një garë skiash me personalitete në Ischgl të Austrisë.

Për fituesin e Topit të Artë, diferenca e madhe në moshë nuk është diçka e re – ai kishte një diferencë prej 27 vitesh me ish-bashkëshorten e tij të fundit, Anastasia Klimko, shkruan DailyMail.
Megjithatë, 38 vite diferencë me Sommer shënon distancën më të madhe që është përfolur ndonjëherë për ndonjë marrëdhënie të tijën. Ende nuk dihet nëse marrëdhënia mes tyre është romantike apo vetëm miqësore.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, Theresa ka studiuar ekonomi dhe menaxhim në King’s College në Londër dhe psikologji në Universitetin e Durhamit.

Dyshja janë parë edhe në stadiumin Allianz Arena në Mynih, duke ndjekur ndeshjen gjysmëfinale të Gjermanisë kundër Portugalisë në Ligën e Kombeve dhe më pas finalen mes Spanjës dhe Portugalisë. Ata janë filmuar gjithashtu në një makinë bashkë, teksa shkonin në një event tjetër.
Gazeta gjermane Bild tentoi të kontaktonte Matthäus për ta pyetur rreth lidhjes me modelen e re, por ai nuk dha asnjë përgjigje. Kur u pyetën nga televizioni A2 gjatë garës së skiimit, ata u shprehën: “Erdhëm për ski, pjesa tjetër është çështje private.”

Jeta personale e Matthäus gjithnjë ka tërhequr vëmendje, pasi ish-kapiteni i Gjermanisë është martuar pesë herë.Ai u martua për herë të parë me Silvian në vitin 1981, me të cilën pati dy fëmijë: Alisa dhe Viola. Ata u divorcuan në vitin 1992, dhe në po të njëjtin vit, ai u bë baba për herë të tretë me lindjen e djalit Loris nga lidhja me Lolita Morena, modele dhe prezantuese zvicerane, e cila kishte përfaqësuar Zvicrën në Miss World 1982 dhe Miss Universe 1983. Çifti u martua në vitin 1994, por u divorcuan pesë vite më vonë.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Matthäus nisi atë si trajner në vitin 2001 me Rapid Viena dhe më pas mori drejtimin e Partizanit të Beogradit në fund të vitit 2002.

Pikërisht në Beograd, ai u njoh me Marijana Colic, një sipërmarrëse mode dhe ish-bashkëshorte e biznesmenit të njohur serb, Miodrag Kostiç. Ata u martuan në nëntor të vitit 2003, por martesa përfundoi katër vite më pas, pas një procesi të gjatë divorci në Salzburg.

Gjatë procesit të divorcit, u raportua se Matthäus i ofroi ish-bashkëshortes 100,000 euro dhe një apartament luksoz në Budapest. Divorci përfundoi në janar të vitit 2009 dhe vetëm pak kohë më pas, Matthäus u martua me modelen ukrainase Kristina Liliana Chudinova, me të cilën ishte njohur në Oktoberfest në Mynih. Ata u martuan në Las Vegas në dhjetor 2008, edhe pse kishin pasur një ndarje të shkurtër në fillim të atij viti.

Çifti jetoi për një kohë në Tel Aviv, ku Matthäus mori drejtimin e ekipit Maccabi Netanya në qershor të vitit 2008, por kontrata u ndërpre pas disa muajsh për shkak të problemeve financiare të klubit. Martesa e katërt u trondit në fillim të vitit 2010, kur u publikuan fotografi të bashkëshortes së tij në një jaht me një biznesmen nga Monako.

Në vitin 2014, Matthäus u martua për herë të pestë me modelen ruse Anastasia Klimko, me të cilën pati një djalë të quajtur Milan. Çifti u divorcua në vitin 2021, megjithatë ata u panë sërish bashkë në Oktoberfest në vitin 2023, duke nxitur spekulime për një pajtim të mundshëm.