Deputeti i PS Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin se ILD po mbyll sytë përpara shkeljeve të rënda në sistemin e drejtësisë, edhe kur ka raste konkrete për t’u hetuar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka reaguar ashpër lidhur me përgjigjen zyrtare të marrë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas shkresave që ai i ka dërguar ILD-së që të veprojë për shkelje që janë bërë.

Duke e konsideruar këtë institucion si të dështuar në misionin e tij kushtetues, ai thekson se kur ILD nuk vepron, gjykatat dhe prokuroritë mbeten pa asnjë mbikëqyrje dhe pa përgjegjësi, gjë që dëmton shtetin dhe drejtësinë.

‘Prej më shumë se një viti (që nga Maji i vitit 2024 në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve) jam përfshirë në një debat institucional me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, për mosveprimin e tij ndaj shkeljeve të rënda kushtetuese nga institucionet e drejtësisë – përfshirë një hetim penal konkret, si sintomë e një problemi sistemik, që ka sot drejtësia në përgjithësi dhe ajo penale në veçanti.

Pas një heshtjeje të gjatë dhe pas dy shkresave të mia dërguar edhe gjithë autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me drejtësinë, më në fund ka ardhur një përgjigje shkresore nga ILD, cila provon vetëm një fakt: dështimin e këtij institucioni dhe bashkë me të, dështimin e një instrumenti kushtetues për zbatimin e parimit “kontroll dhe balancë” midis pushteteve. Ky dështim e ka vendosur pushtetin gjyqësor në një pozitë të pakontrolluar, të pabalancuar dhe për rrjedhojë të papërgjegjshme, duke cenuar rëndë themelet e shtetit të së drejtës.

Mbyllja e syve para shkeljeve kushtetuese, në dëm të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut – që qëndrojnë në themel të rendit juridik sipas nenit 15/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në dëm të shtetit të së drejtës – nuk është thjesht diskreditim institucional i ILD-së, por një rrezik eminent për funksionimin e balancuar të superstrukturës shtetërore. Sot publikoj replikën time institucionale, në të cilën ritheksoj shqetësimet e mia si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe kufirin që vendos vetë Kushtetuta: Askush nuk është mbi ligjin. As gjykata, as prokuroria, as inspektori, as pushteti i heshtjes. Lexoni më poshtë përgjigjen time të plotë drejtuar ILD-së. Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë zgjedhje. Janë detyrim’, thuhet në reagim.