Një 53-vjeçar është arrestuar në Kapshticë pasi u kap duke transportuar me automjet pijë alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia. Policia bën me dije se janë proceduar tre punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik nga policia mësohet se u sekuestruan edhe pijet alkoolike. Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi:

Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor “Drinks”, për goditjen e kontrabandës së pijeve alkoolike. U kap në flagrancë në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, duke transportuar me automjet pije alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia, arrestohet 1 shtetas.

Procedohen penalisht 3 punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sekuestrohen pijet alkoolike dhe automjeti. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Drinks”, për goditjen e një rasti kontrabandës me mallra që paguhet akcizë.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Ll. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi pijesh alkoolike, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit. Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., 53 vjeç banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe ” Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. P., 45 vjeç, A. G. 61 vjeç dhe R. M., 40 vjeç (doganierë), pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallrave, sipas ligjit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.