Maj 2025 nuk ka qenë thjesht muaji i ngjarjeve të mëdha politike dhe sportive në Shqipëri, por edhe muaji i një ofensive masive të Policisë së Shtetit kundër krimit. Teksa në vend zhvilloheshin zgjedhjet për Kuvendin, mbërrinte Giro d’Italia dhe mbahej Samiti i Komunitetit Politik Europian, strukturat e Policisë ndërmorën 99 operacione të fuqishme në të gjithë vendin, duke goditur grupe kriminale, rrjete trafikimi dhe individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në një raport të publikuar këtë të shtunë, Policia bën me dije se 625 persona janë vënë në pranga për vepra të ndryshme penale, ndërsa janë sekuestruar 50 armë zjarri, sasi të konsiderueshme municioni, silenciatorë, jelekë antiplumb dhe dokumente të falsifikuara. Po ashtu, janë kapur rreth 84 kilogramë drogë, qindra doza të kokainës dhe mijëra fara cannabis. Pasuritë dhe paratë e sekuestruara gjatë këtyre operacioneve arrijnë në një vlerë prej 415 mijë eurosh, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Majin e këtij viti e shënon edhe megaoperacioni kombëtar i koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit janë identifikuar dhe asgjësuar 8 269 bimë dhe fidanë cannabis në zona të ndryshme të Shqipërisë, një sinjal i qartë se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë më asnjë tentativë për rikthimin e kultivimit të kanabisit.

Ndërkohë, vetëm në tre operacione të kryera në Tiranë, Shkodër dhe Durrës, janë arrestuar 21 persona të përfshirë në trafik armësh. Disa prej tyre dyshohet se furnizonin grupe kriminale të strukturuara me armë të gatshme për përdorim. Një tjetër rast i veçuar është goditja e një banese të përshtatur për kultivim të drogës në Fier, si dhe zbulimi në Tiranë i një “call center”-i ku kryheshin mashtrime kompjuterike në dëm të shtetasve të huaj.
Bilanci i Policisë së Rrugore është po aq i zëshëm: 155 drejtues mjetesh janë arrestuar për shkelje të rënda të kodit rrugor, ndërsa janë vendosur mbi 12 400 masa administrative, kryesisht për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe drejtim nën ndikimin e alkoolit. 191 leje drejtimi janë pezulluar vetëm gjatë këtij muaji.

Policia Kufitare, nga ana tjetër, ka evidentuar 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 22 tentativa me dokumente false dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike. Të gjitha këto janë pjesë e analizës mujore që tregon jo vetëm angazhimin maksimal të strukturave të sigurisë, por edhe përqendrimin në parandalim e goditje efektive të çdo veprimtarie të paligjshme.

Majin e këtij viti, Shqipëria e përjetoi si një test serioz të sigurisë kombëtare, jo vetëm për shkak të ngjarjeve madhore ndërkombëtare, por edhe për sfidat e brendshme kriminale. Dhe mesa duket, Policia e Shtetit ka vendosur të “pedalojë fort” jo vetëm për të mbajtur ritmin me zhvillimet, por për të marrë drejtimin në betejën kundër krimit./Lexo.al