Nga Mero Baze 

Dje disa portale që përdoren për propagandë linçuese nga segmente të SPAK publikuan me bujë lajmin se Erion Veliaj do paraqitet në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar masën e arrestit dhe se madje ka paguar garanci financiare për të siguruar lirinë me kusht. Më pas doli lajmi se Gjykata nuk ia pranoi ato garanci dhe e la në burg.

Natyrisht, gjithçka ishte një gënjeshtër, e dalë më së paku nga zyra e prokurorit Olsi Dado, i cili duket se e ka kthyer këtë proces në një betejë personale. Erion Veliaj as kishte ankimuar dje ndonjë masë arresti, as kishte paguar ndonjë garanci financiare, pasi gjykimi për masën e arrestit të tij në Apel ka përfunduar një muaj më parë. Dje ishte një procedurë formale e prokurorit që mbronte vendimin e tij për ta mbajtur Veliajn në burg, çka tashmë është fakt i kryer. Veliaj as nuk ishte fare në gjykatë. Por ama lajmet ishin për ta poshtëruar atë.

Ky proces linçimi nga SPAK dhe ligësia e cinizmi me të cilin veprohet ndaj jetës personale të një qytetari dhe të drejtave njerëzore të tij, ka tejkaluar çdo limit njerëzor, çdo konventë evropiane dhe amerikane. Dhe mbi të gjitha ka krijuar bindjen te një pjesë e madhe e opinionit publik se metodat hakmarrëse dhe represioni po dominojnë veprimtarinë e SPAK për shkak të mbështetjes politike paraprake që ka marrë nga shumica socialiste. Dhe ky është tashmë një problem edhe për shumicën socialiste.

Po kaq flagrante ishte ajo që ndodhi dy ditë më parë, kur GJKKO mori një vendim absurd ndaj Ilir Metës, duke kërkuar shtyrjen me gjashtë muaj të hetimeve ndaj tij, ndërkohë që ka ngritur edhe akuzën ndaj tij.

Kur ndaj një të pandehuri ke ngritur akuzën, bien të gjitha arsyet për ta mbajtur në paraburgim me justifikimin se prish provat. Së paku këtë standard e vendosën me Sali Berishën dhe dhëndrin e tij — natyrisht nën presionin e tyre.

Unë nuk kam ndonjë emocion personal për Ilir Metën, por shtyrja arbitrare e afatit të hetimeve ndërkohë që e mban në burg bëhet vetëm që të mos i ndryshosh masën e arrestit. Praktikisht SPAK po konsolidon një praktikë antinjerëzore: të arreston njëherë, të degjeneron publikisht me fundërrinat e veta në media duke shpifur rreth teje, pastaj të sekuestron telefonat gjithë lagjes dhe fillon të kërkojë fakte për ty. Nëse nuk gjen, të shtyn afatet pa fund derisa të gjejë diçka, dhe në fund gjykata të dënon me kohën e paraburgimit.

Rasti i Ilir Metës në këtë pikë është flagrant. Ai ka tre vjet që hetohet, një vit e ca që mbahet në burg, dhe i shtyhet afati i hetimeve. Por atëherë pse u ngutën ta arrestojnë në mes të rrugës, kur paskan pasur gjithë këtë punë me hetimet? Ai ka qenë president i Shqipërisë, kryeministër dhe kryetar Parlamenti. Dhe nëse arratisej, drejtësia nuk do të duhej të mërzitej – nuk do të shkonte në një planet tjetër. Mund të vijonin punën dhe të ngrinin akuzën.

Fakti që as dinë të hetojnë, as respektojnë afatet dhe liritë njerëzore, por dinë vetëm të arrestojnë, tregon shumë për nivelin poshtërues ku ka rënë hetimi në “drejtësinë e re”, dhe për nivelin arrogant ku është ngritur linçimi politik.

Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria është e detyruar të mbrojë qytetarët e saj nga ndalimi arbitrar dhe t’u garantojë një gjykim të drejtë. Në rast ndalimi, duhet të sigurojë kushte humane paraburgimi. Neni 3 i KEDNJ-së ndalon “trajtim ose ndëshkim çnjerëzor ose poshtërues”.

Së paku në rastin e Erion Veliajt dhe të këtij procesi të papërgjegjshëm ndaj Ilir Metës, ky nen është shkelur me të dyja këmbët. Për më tepër, avokatëve të Veliajt u është dhënë më pak se gjysmë dite për të shqyrtuar 26.400 faqe dokumente hetimore, përpara se të mbronin çështjen e paraburgimit më 12 shkurt 2025. Dhe ajo që ishte edhe më flagrante, është se gjatë seancave për vlerësimin e paraburgimit, gjykata u “shqetesua” se Veliaj “nuk tregoi pendesë” dhe “refuzoi të pranonte përgjegjësi për veprat”. Kjo sugjeron që gjykata të konsideron fajtor nëse ti nuk e pranon paraprakisht fajin. Por nëse e pranon, procesi ka mbaruar. Ndërkohë, ai pretendon se është i pafajshëm dhe për ta provuar këtë, po zhvillohet gjithë ky proces poshtërues.

Kjo është një shkelje flagrante e nenit 6 §2 të Konventës Evropiane nga Gjykata dhe SPAK, duke komentuar gjatë procedurës paraprake mbi “mungesën e pendesës” së Veliajt dhe refuzimin për të marrë përgjegjësi – duke e përdorur këtë si arsye për ta mbajtur në paraburgim. Kjo nënkupton një paragjykim të qartë për fajësi, dhe jo për pafajësi. Kjo armiqësi e hapur e gjykatës ndaj të pandehurit është tregues i qartë i mungesës së paanësisë, dhe për rrjedhojë, mohimit të një gjykimi të drejtë.

Kolegu im Andi Bushati, një kritik i qëndrueshëm i SPAK dhe drejtësisë së re, ndryshe nga unë mendon se pas kësaj fushate linçimi ndaj Erion Veliajt qëndron Edi Rama dhe Partia Socialiste, të cilës nuk i duhet më Veliaj. Edhe pse e di që nuk është e vërtetë, nuk e kundërshtoj deri në fund – nëse shumica që i ka dhënë mandat SPAK-ut për “drejtësi të re”, lejon që ai të shkelë me të dyja këmbët Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të sillet si një pushtet i ri në një republikë prokurorësh, që krekosen në stadiume me bileta preferenciale, ndërkohë që fusin njerëz në burg, pse dikush u ka prerë biletën per stadium.

Derisa politika të na qartësojë: nëse jemi një Republikë e lirë që na garanton Konventa Evropiane dhe Gjykata e Strasburgut, apo jemi në dorë të frustrimeve të një prokurori që është gati të fusë në burg edhe atë që e ka rrahur në kalçeto – duhet të ndjehemi të gjithë të kërcënuar. Sepse kur të gjitha këto çështje të rrëzohen në Strasburg, nuk di kush do të mbajë përgjegjësi për jetë të shkatërruara, njerëz të linçuar me gjyqe publike dhe miliona euro në ngarkim të shtetit shqiptar. E sigurt është që këtij Olsi Dados s’kemi ç’t’i kërkojmë – ai vetë s’e ka menduar kurrë që një ditë do t’i besonim liritë tona.

Fushata për një pasaportë evropiane e Edi Ramës nuk nënkupton vetëm leje pune në Europë, ndërtim rrugësh, kullash apo aeroportesh, por ndërtimin e një shteti evropian.

Kjo drejtësi është e papranueshme edhe për fiset Zulu.