Enea Mihaj që sot mund të ishte një futbollist i Samsunsporit në kampionatin turk, pasi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit kishte një akord parimor me klubin në fjalë. Por gjithçka dështoi në momentin e firmave.
Këtë e ka zbuluar presidenti i Samsunspor, Juksel Jilldirim, I cili në një intervistë ka zbuluar prapaskenat e transferimit të dështuar të lojtarit i cili ishte lojtar i lirë. Sipas tij, disa klauzola të kërkuara nga menaxheri i futbollistit, kishin hedhur në erë gjithçka. Më kryesorja, ajo për largimin si lojtar i lirë nëse klubi binte nga kategoria.
“Ne kemi një qëndrim. Kemi arritur një marrëveshje me dy lojtarë këtë sezon, avokati i të dytit vendosi 2-3 klauzola që nuk i pranonim dot në fazat e fundit. Ne po luajmë në Europë, ti thua nëse bie Samsunspor. Unë këtë nuk e pranoj, thashë “vëlla ose vjen te Samsunspor ose jo. Gjëra të tilla, këto nuk duam t’i shkruajmë”. I thashë hajde. I dhashë 24 orë kohë, nëse nuk donte, e mbylla transferimin.
Nëse do të ishte dikush tjetër, ai do të jepte gjithçka për atë transferim. Unë si president, i qëndroj vendimit tim. Lojtari me të cilin arritëm një marrëveshje, kishim caktuar edhe paratë e tij, bëmë një marrëveshje tre plus një vjeçare, fola me lojtarin për gjithçka, foli Fuat Çapa, foli trajneri im. Për kë bëhet fjalë? Ai ishte Enea Mihaj”, tregoi presidenti se si kishte dështuar transferimi i mbrojtësit shqiptar për këtë klauzolë që kishte dashur në kontratën me Samsunspor i cili do të luajë në Ligën e Europës në këtë sezon.