Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, inspektoi këtë të shtunë masat e marra për sezonin turistik në qytetin e Sarandës.
I shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë së kufirit dhe të qarqeve, Proda zhvilloi një takim me forcat policore të angazhuara në terren, duke dhënë udhëzime të qarta për rritjen e sigurisë në këtë sezon.
Proda theksoi se “siguria është pasaporta jonë” dhe kërkoi monitorim të vazhdueshëm të plazheve, kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, tolerancë zero për zaptimin e hapësirave publike, si dhe reagim të menjëhershëm ndaj ndotjes akustike.
Ai gjithashtu kërkoi rritje të masave në pikat kufitare për të shmangur radhët dhe rritje të sigurisë në akset rrugore përmes përdorimit të teknologjisë inteligjente.
Drejtori i Policisë kërkoi që punonjësit e uniformave blu të jenë shembull në sjellje e komunikim, pasi janë pika e parë e kontaktit me turistët.