Autori i një mesazhi kërcënues ndaj vajzës së mitur të kryeministres italiane Xhorxhia Meloni është identifikuar si Stefano Addeo, 65 vjeç, profesor i gjuhës gjermane nga provinca e Napolit, në Rajonin e Campanias.
Addeo shkroi në rrjete sociale një koment tronditës, duke i uruar vajzës së vogël të Melonit “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë minorene nga Afragola që u vra brutalisht në një rast feminicidi. Komenti u denoncua menjëherë nga partia e Melonit, Fratelli d’Italia, e cila e cilësoi deklaratën si “të frikshme dhe të papranueshme”.
Në një intervistë për median lokale në Romë, Addeo kërkoi falje publike duke deklaruar: “Ishte një gjest prej budallai i bërë në mënyrë impulsive.” Megjithatë, ai theksoi se nuk i dëshiron askujt vdekjen, por nuk është i gatshëm të distancohet nga bindjet e tij politike.
Reagimi i Melonit ishte i ashpër. Kryeministrja deklaroi se:
“Nuk bëhet fjalë për përplasje politike, as për zemërim, është diçka më e errët akoma, që tregon kufijtë e një klime të sëmurë, një urrejtjeje ideologjike, në të cilën gjithçka duhet lejuar, madje edhe dëshira për vdekjen e një fëmije për të sulmuar një prind.”
Meloni bëri thirrje për bashkim të forcave politike kundër kësaj klime të urrejtjes.