Vitin e kaluar, në 2024-ën, Joni Keta, garoi mes 7 kolegësh, hetues të BKH-së, dhe ia doli të bëhet numri 2 i këtij institucioni, të konsideruar “FBI-ja” Shqiptare. Tashmë ai kërkon të marrë drejtimin e BKH-së, në garën e hapur nga SPAK. Më herët Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe më pas në SPAK.
Një tjetër hetues brenda BKH-së kërkon të marrë drejtimin e institucionit. Elton Kërluku aktualisht hetues financiar pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, më herët ka qenë shef sektori i krimit kibernetik në Ministrinë e Brendshme.
Gati 3 vjet nga shkarkimi, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano rikthehet në skenë duke synuar drejtimin e BKH-së. Ai u emërua në krye të bluve në tetor të vitit 2021, ku qëndroi vetëm 10 muaj. Më herët ka mbajtur detyra të rëndësishme në polici, përfshirë edhe atë të kreut të Anti-terrorit. Gledis Nano udhëhoqi operacionin e vështirë të riatdhesimit të shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë, përfshirë gra e fëmijë.
Garës për drejtuesin e ri të BKH-së, shprehu vullnetin t’i nënshtrohet një tjetër ish-kryepolic. Haki Çako, drejtoi Policinë e Shtetit kryepolicit në kohën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ai ishte drejtor i Policisë Gjirokastër në kohën kur shteti ndërhyri për herë të parë në Lazarat, fshatin e kanabisit. Aktualisht është në krye të Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile.
Artur Beu i futet garës për të marrë drejtimin e BKH-së për herë të dytë. Në vitin 2020 ai ishte mes kandidaturave, por garën e fitoi Aida Hajnaj, drejtuesja aktuale, të cilët i mbaron mandati në fund të këtij gushti. Në 2015-ën shërbeu si specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Interpol.
Gentjan Shehaj, me një karrierë të gjatë në polici, aktualisht drejtor i kurrikulave në Akademinë e Sigurisë ka aplikuar gjithashtu për t’iu nënshtruar fazave të garës për postin e drejtorit të BKJ-së. Më herët ka mbajtur poste të rëndësishme brenda bluve, përfshirë drejtues qarku në Vlorë dhe Lezhë.
Një prokuror shpreson të kalojë verifikimin paraprak të SPAK, për tu pranuar në garën e BKH-së. Andi Pogaçe, i diplomuar në shkollën e Magjistraturës në 2014-ën, është prokuror në Tiranë, ndërsa më herët ka shërbyer në të njëjtën detyrë në Prokurorinë e Fierit.
Edhe një i shkarkuar nga të dyja shkallët e vettingut, ka aplikuar për postin e drejtuesit të BKh-së. Prokuror në Shkodër prej 2016-ës, Astrit Halilaj u shkarkua me vendim të formës së prerë nga KPA këtë maj. Një fakt që me shumë gjasë do ta skualifikojë pa shkuar përballë treshes së komisionit të përzgjedhjes në SPAK.
Edhe punonjës të tjerë të policisë së Shtetit shpresojnë të aprovohen në garën me 6 faza për kreun e BKH-së. Gentian Ndoi prej disa vitesh mban postin e drejtor për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Më herët, ka drejtuar “Njësinë E” në polici. Maoricio Sheldija, aktualisht shërben si inspektor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rajonin e Shkodrës, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit.
Marinela Pilinçi është një tjetër emër, që garon për kreun e BKH-së. Në 2022 ajo është emëruar oficere e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë në Pogradec.
Nevrus Ndregjoni aktualisht është oficer i policisë gjyqësore në Elbasan, ndërsa Miklovan Kanani hetues në BKH.