Protesta të reja kanë shpërthyer në Los Anxhelos kundër bastisjeve nga autoritetet e imigracionit. Sipas raportimeve të mediave lokale, protestuesit u përleshën me policinë jashtë një dyqani të madh mobiljesh, Home Depot.

Ndërkohë, dhjetëra njerëz u arrestuan për demonstratat e djeshme në qendër të qytetit.

Tom Homan, zyrtari kufitar i administratës së Donald Trump, ka mbërritur në Los Anxhelos për të monitoruar nga afër bastisjet kundër emigrantëve.

Në një deklaratë për Fox News ai tha se Garda Kombëtare do të vendoset në Qarkun e Los Anxhelos pasi protestat kundër ICE vazhduan të përshkallëzoheshin të shtunën pasdite.

Presidenti Donald Trump foli në Truth Social për të kritikuar mosveprimin e udhëheqjes shtetërore dhe lokale.

“Nëse Guvernatori Gavin Newscum i Kalifornisë dhe Kryetarja e Bashkisë Karen Bass e Los Anxhelosit nuk mund ta bëjnë punën e tyre, gjë që të gjithë e dinë se nuk mund ta bëjnë, atëherë Qeveria Federale do të ndërhyjë dhe do ta zgjidhë problemin, trazirat dhe plaçkitësit, në mënyrën që duhet zgjidhur!!!” shkroi Trump.

Newsom u përgjigj në X, duke pretenduar se qeveria federale “po lëviz për të marrë përsipër Gardën Kombëtare të Kalifornisë” dhe për të vendosur 2,000 ushtarë.