Nga Mero Baze

Partia Demokratike po kërkon që KQZ të verifikojë nëse kanë shitur numëruesit e PD votat gjatë numërimit apo jo.

Për shkak të vetos që ligji i jep dy anëtarëve të KAS nga PD, ata kanë të drejtë të kërkojnë rinumërimin e çdo qarku. Deri tani ka shkuar mbi 40 për qind e numrit total të votave që do të shkojnë në rinumërim. Por rinumërimi do të bëhet nga administrata e përzgjedhur nga KQZ.

Pra, po shkojmë gati drejt rinumërimit të gjysmës së votave të 11 majit, nga një administratë teknike, për të verifikuar nëse Sali Berishën e kanë tradhtuar të vetët apo jo.

Dhe këtu Myslim Murrizi ka të drejtë kur u ankohet të vetëve për rinumërimin e votave nga administrata e KQZ. OSBE/ODIHR ka 10 vjet që kërkon që administrata e zgjedhjeve të jetë e depolitizuar dhe votat të numërohen nga administrata e KQZ-së, por Berisha e ka kundërshtuar rreptësisht këtë kërkesë. Tani pikërisht me njerëzit e Celibashit do verifikojë a ka tradhtarë mes radhëve të tij apo jo.

Në të vërtetë, Berishës nuk i interesojnë as votat e vjedhura mes demokratëve, dhe as rezultati në tërësi, se është i qartë që nuk ndryshon. Atij i duhet të shtyjë sa më shumë këtë periudhë të shpalljes së rezultatit që të relativizojë humbjen dhe t’u thotë të gjithëve: “po i rinumërojmë se ka manipulime”. Është e vetmja mënyrë për të shtyrë datat derisa të mbyllet sesioni politik në parlament dhe të ketë mundësi të mbrohet si “humbës madhështor”.

Pastaj fillojnë pushimet dhe deri në shtator qetësohen gjakrat, pasi edhe ata që kanë fituar e mbledhin mendjen, dhe ata që kanë humbur shikojnë punët e tyre.

Pra, nuk bëhet fjalë as për ndonjë shpresë të Berishës për ndryshim rezultati, as për ndonjë ndryshim renditjeje, por thjesht për ndryshim humori të demokratëve derisa të fillojnë pushimet.

Me këtë rast, duke e stërzgjatur rinumërimin, ai ka mundësi edhe të flasë për “zgjedhje problematike”. Dhe për këtë është i pamëshirshëm. Ai është gati edhe t’i njollosë numëruesit e vet demokratë vetëm për të fituar një muaj kohë që të ketë mundësi të flasë për manipulime. Dhe madje është gati t’u besojë më shumë njerëzve të KQZ-së për këtë çështje, pasi e di që rezultati nuk ndryshon, por ndryshojnë emocionet për humbjen.

Kur gjithçka të dalë në rregull, e vetmja fitore e tij do të jetë që i gënjeu edhe një muaj më shumë demokratët. Për hallin dhe moshën që ka Berisha, edhe një muaj kohë nuk është pak. Por për ata që shpresojnë se me të e kanë të afërt fitoren, është një tallje e madhe.