Nga Hermes Kafexhiu 

Ka një shqetësim në rritje për agresivitetin me të cilin mijëra shqiptarë, sidomos nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, reagojnë ndaj udhëheqësve politikë që përshëndetën sulmet e SHBA ndaj Iranit. Në Kosovë një lumë komentesh vërshuan kundër Albin Kurtit, ndërsa pas deklaratës së Sali Berishës ka thuajse vetëm komente negative.

Arsyeja nuk është aq shumë shqetësimi i shqiptarëve për Iranin. Natyrisht, kur vjen puna tek Gaza, ka një pjesë të shoqërisë që është kundër asaj që po ndodh nga pikëpamja humanitare, por për potencialin bërthamor të Iranit, as që duhet të ketë diskutim.

Arsyeja pse reagojnë më ashpër ndaj Sali Berishës dhe Albin Kurtit ka një shpjegim politik.

Së pari duhet thënë se, si Albin Kurti, ashtu dhe Sali Berisha, i kanë të drejta qëndrimet për sulmet mbi Iranin. I kanë politikisht korrekte dhe në një vijë me politikën properëndimore në gjithë hapësirën shqiptare dhe atë perëndimore.

Problemi është se ata kanë vite të tëra që janë në një mbijetesë politike duke bërë betejë, herë të hapur e herë të ftohtë, me SHBA-në, dhe mbështetësit e tyre e kanë marrë seriozisht këtë betejë.

Në Kosovë, mbështetësit e Kurtit e shikojnë SHBA-në si një aleat që kërkon t’i rrëzojë nga pushteti, kurse mbështetësit e Berishës në Shqipëri kanë katër vjet që jetojnë nën peshën e shpalljes “non grata” dhe kërcënimit për “bar”, duke u ekspozuar publikisht dhe privatisht si urrejtës të SHBA-së që, sipas tyre, i ka bërë jetën të vështirë udhëheqësit të tyre.

Pra kemi të bëjmë me një elektorat që ka bërë një “gjimnastikë” disavjeçare kundër SHBA-së dhe është shumë i përgatitur për të reaguar ndaj çdo gjëje që lidhet me të.

Dhe nëse i heton profilet e komentuesve, janë të njëjtët me ata që sulmonin ambasadën e SHBA-së në Tiranë për qëndrimet ndaj Berishës, apo ata që mbrojnë Kurtin nga Grenelli apo zyrtarët amerikanë që kritikojnë politikat e tij.

Pra, në një farë mënyre, ata më shumë se sa pro-iranianë janë të zemëruar me idhujt e tyre politikë, që njëherë i fusin në luftë me SHBA-në e njëherë u dalin pro saj. Thjesht u duket sikur u ka shkuar dëm lufta disavjeçare kundër SHBA-së dhe tani janë kthyer befas në agjitatorë të Iranit kundër sulmeve të SHBA-së mbi të.
Është pak a shumë si ndjehet një enverist shqiptar, kur shikon që Agim Nesho, familja e të cilit ishte një nga familjet më të besuara të Enver Hoxhës,  është dhjathtist pro Trumpit dhe aleatë me Berishën.

Është kjo arsyeja që nuk duhen marrë seriozisht dhe as duhen llogaritur si një shumicë shqiptare kundër SHBA-së. Janë një pakicë e frustruar politike që nuk përbën shumicën e shoqërisë dhe as përfaqëson mendimin e saj.

Janë thjesht pasojë e politikave të udhëheqësve tanë që e kanë të pasinqertë qëndrimin ndaj SHBA-së dhe të paqëndrueshme politikën properëndimore, përveç rasteve kur e kanë në favor të tyre për pushtet.

Më shkurt, janë pasojë e talljes së tyre me mbështetësit e tyre, të cilët i trajtojnë si dele. Dhe tani, mos prisni ndonjë gjë të zgjuar prej tyre. Por as mos i llogarisni si pro-iranianë. Janë më shumë të zhgënjyer nga idhujt e tyre./Tema