Nga Dritan Hila

Miq të mi, madje deri te të afërm të mi, pyesin nëse jemi në prag të një lufte botërore ku në lojë do të futen edhe atomiket, e me ç’rast do na takojë të futemi edhe njëherë në bunkerët e Enverit.

Do bëj një rreshtim të thjeshtë faktesh.

Ka tre vjet që Rusia ka ngecur në Ukrainë. Fuqia e dytë në botë ka një vit dhe nuk po merr dot një fshat në Ukrainë të quajtur Pokrovsk. Një vend me katër herë më pak popullsi dhe 22 herë më pak i armatosur në fillim të luftës sesa Rusia po i bën ballë.

Ndihma e Perëndimit nuk ka qenë domethënëse, ku përjashto mbrojtjen kundërajrore, të tjerat ishin hekurishte 50-vjeçare. Dikur, për po kaq kohë, Zhukovi kishte kapur Berlinin. Pra kemi një Rusi vite drite larg BRSS-së. Ndërkohë ka humbur influencë në Siri, Afrikë dhe shumë shpejt edhe në rajone të tjera.

Një fuqi tjetër që mendohej se ishte superfuqia rajonale, po gjunjëzohet nga një shtet 10 herë më i vogël si Izraeli. 10-15 raketa që bien mbi Tel Aviv janë si raketat V2 që Hitleri hidhte mbi Londër, kur sovjetikët ishin në barrikadat e Tiergarten, në dyert e bunkerit të Hitlerit. Nëse Irani ka 30 vjet dhe nuk po prodhon dot një bombë atomike që izraelitët kanë 65 vjet që e kanë prodhuar, kuptohet pse mbizotërojnë në ajër dhe në tokë.

Unë e kuptoj propagandën e palëve në luftë sikurse betejën për klikime, por e gjitha nuk ka lidhje me faktet në terren. Teknologjia perëndimore është vite drite larg ndaj çfarëdolloj konkurrenti. Përgatitja ushtarake po ashtu. Nëse 60 vite më parë për të përgatitur një ushtar si mish për top duheshin 3 ditë, sot perëndimorët harxhojnë një vit, por del një profesionist i barasvlershëm me një makinë vrasëse.

Dhe tani vijmë te Kina. Dikur Konfuci thoshte që “Një objekt i fshehur ngjall më shumë kuriozitet dhe mister”. E tillë është edhe Kina sot. Këtë e dinë mirë kinezët. Ndaj kanë 70 vite që thonë se do ta marrin Tajvanin, por asnjëherë nuk kanë kapërcyer ngushticën që i ndan. Aq më pak do ta bëjnë tani. Dhe kjo për fare pak arsye. Ushtria e tyre ka 45 vjet që nuk përballet në beteja reale. Hera e fundit ishte në Vietnam, ku këta të fundit e vunë përpara ushtrinë e Ten Hsiaopinit me çetat territoriale.

Gjeneralët kinezë në këto tre vjet kanë kuptuar se luftërat moderne kërkojnë shumë më tepër se metidat klasike të luftës frontale. Armatimi ka evoluar aq sa po habit edhe strategët. Mjafton të përmendim dronët. Ndaj do të ishte dritëshkurtësi që në momentin kur dy aleatët e tu, Rusia dhe Irani, po hanë grushte njëri pas tjetrit, t’i hysh me këmbë detit të Kinës. Lufta nuk është makina BYD që mund t’i shesësh kudo. Por edhe këto kur duan perëndimorët që të lejojnë.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është fuqia e projeksionit. Përjashto SHBA-të, asnjë fuqi tjetër nuk ka forcë të çojë arsenalin e saj në kufijtë e kundërshtarit. Vetëm SHBA-ja ka baza, aleatë, rezerva, të shfaqet dhe bëjë luftë në çdo cep të globit. Është zbavitës fakti se kur aeroplanmbajtësja Admiral Kuznecov u nis të shkonte në vitin 2016 në brigjet e Sirisë, ngeci në Gjibraltar se i mbaroi nafta dhe kërkoi ndihmë për furnizim nga Spanja.

Kim Jong Un mund të zbavitet me bombat e tij bërthamore, por nuk i hedh dot as në Japoni dhe nuk është në gjendje të prodhojë një fregatë. Ky është shembulli që përveç Rusisë me arsenalin e saj bërthamor, askush tjetër nuk mund ta kërcënojë perëndimin me një luftë. Por edhe Rusia tashmë është një kërcënim i dyshimtë dhe për më tepër asnjë rus, përfshi Putin, nuk do që të gjendet nën breshërimë e kundërpërgjigjes perëndimore. Ndaj mos kini frikë për luftë. Gëzoni verën ku sapo kemi hyre. Uroj ta prishin vetëm reshje shiu./dritare.net