Vetëm një numër i vogël vendesh zotërojnë armë bërthamore: Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut. Izraeli besohet gjerësisht se i ka, por as e konfirmon e as e mohon këtë.
Atëherë, pse disa vende mund të kenë armë bërthamore dhe të tjerat jo?
Përgjigjja qëndron në një marrëveshje të vitit 1968, të quajtur Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT. Ky traktat thotë se vendet mund të kenë programe bërthamore për qëllime civile, por asnjë vend tjetër nuk duhet të ndërtojë armë bërthamore përveç atyre që i kishin tashmë. NPT-ja është ligjërisht detyruese dhe shumica dërrmuese e vendeve e kanë nënshkruar, përfshirë Iranin.
India dhe Pakistani nuk u njohën si shtete me armë bërthamore kur traktati hyri në fuqi, dhe nëse do t’i bashkoheshin tani, do të detyroheshin të çarmatoseshin. Sudani i Jugut është një shtet i ri që nuk ka program bërthamor.
Izraeli nuk e ka nënshkruar traktatin sepse ndjek një politikë të paqartësisë bërthamore si taktikë ndaj armiqve dhe nuk lejon inspektime të objekteve të tij bërthamore, të cilat do të kërkoheshin sipas NPT-së.
Irani, vendet arabe dhe të tjerë kanë kërkuar prej kohësh që Izraeli të vihet nën presion për t’u çarmatosur dhe për të qenë transparent mbi programin e tij bërthamor, duke e parë arsenalin e supozuar izraelit si burim tensioni rajonal dhe si kërcënim.
Irani gjithmonë ka mohuar se kërkon armë bërthamore dhe nuk posedon asnjë, megjithatë shumë vende nuk janë të bindura nga pretendimi i tij për qëllime paqësore.
Në vitin 2002 u zbulua se Irani kishte pasur një program sekret bërthamor që nuk lejohej nga NPT-ja, çka shkaktoi një krizë shumëvjeçare që në masë të madhe çoi në ngjarjet e sotme.