Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar homologun e tij amerikan Donald Trump për rolin e tij në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke thënë se falë tij, këto marrëdhënie “po fillojnë të stabilizohen”.
“Në përgjithësi, falë presidentit Trump, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po fillojnë të nivelohen në disa aspekte”, u shpreh Putin gjatë një deklarate për gazetarët në Minsk.
Putin shtoi se ka “respekt të madh” për Trump-in dhe se një takim mes tyre është “plotësisht i mundshëm”.
Ndërkohë, presidenti rus njoftoi se Rusia planifikon të ulë shpenzimet ushtarake në planin afatgjatë, duke pranuar se vendi po përballet me vështirësi buxhetore për shkak të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, të cilat, sipas tij, kanë nxitur inflacionin.
Putin deklaroi gjithashtu se Moska është e gatshme të zhvillojë një raund të ri bisedimesh paqeje me Ukrainën. Ai përmendi si vend të mundshëm të takimit qytetin e Stambollit në Turqi, megjithëse data dhe vendndodhja nuk janë caktuar ende.
Gjithashtu, Putin tha se Rusia është e gatshme të kthejë trupat e 3 mijë ushtarëve të tjerë ukrainas të rënë në luftime. Në negociatat e mbajtura në Stamboll më 2 qershor, Ukraina dhe Rusia ranë dakord për shkëmbimin e gjithsej 12 mijë trupave të ushtarëve të vrarë.