Në prag të ndeshjes me Serbinë, situata nuk është optimale në kampin kuqezi. Sulmuesi i Kombëtares, lushnjari Rey Manaj ka kaluar disa ditë jo të mira lidhur me shëndetin. Mësohet se sulmuesi ka pësuar një helmim nga ushqimi dhe 2 ditët e fundit ka bërë serume për t’u rikuperuar për ndeshjen e të shtunës.
Në këto kushte, Manaj është parë duke u stërvitur i veçuar nga grupi. Lojtari është kufizuar për t’u sërvitur i vetëm në palestër, në përputhje të protokollit mjekësor të Federatës. Megjithatë duket se mjekët e ekipit janë optimistë për shërimin e tij para ndeshjes, duke i rritur shanset që sulmuesi të jetë edhe titullar në ndeshjen me Serbinë.
Ndërkohë, të gjithë lojtarët e tjerë janë në formë të plotë dhe vazhdojnë si normalisht me stërvitjen e tyre nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij teknik.
Shqipëria luan kundër Serbisë të shtunën e 7 qershorit në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.