Nga Jakin Marena

Kryetari i PD Sali Berisha ka vendosur të shfrytëzojë në maksimum hedhjen e lekëve prej tij për të krijuar një alibi sa më të qendrueshme për humbjen shkatërruese të zgjedhjeve parlamentare më 11 maji të këtij viti.

E kemi nënvizuar dhe herë të tjera, Berisha s’ka asnjë nevojë në fakt për të bërë ndonjë justifikim për humbjen përballë Ramës, pasi nuk ka përballë kujt të justifikohet. Eshtë ‘vetë

Ali dhe vetë kadi’ në PD, dhe askush nuk guxon të ngrejë zërin përballë tij, madje as ta çojë nëpër mend zbatimin e statutit të PD, ku nëse respektohet neni i fiksuar nga vetë Berisha, pra neni ‘Basha’. Praktikisht Berisha nga data 13 maj më sëpaku duhet të thirrej ‘ish kryetari i PD’, pasi s’ka nevojë për ‘salltanete’ të mëdha shkarkimi apo dorëheqja e tij, ai është i shkarkuar automatikisht.

Por Berisha ka deklaruar se është misionar tashmë në PD e misioni i tij në tokë përfundon vetëm atëherë kur ta marrë i Plotfuqishmi në gjirin e vet. Pra përjetësisht. Pasi Berisha ka paralajmëruar se do të jetë kryetar i PD, dhe askush nuk duhet të pretendojë për të marrë drejtimin e kësaj partie. Në radhë janë familjarët e tij, vajza dhe djali, dhe aty mbyllet ‘qarku’ njëherë e mirë, sepse Berisha nuk ka më besim të përsërisë precedentin ‘Basha’ në krye të ‘pronës’ së tij PD.

Tani, problemi është se misionar ka nisur ta quajë veten dhe numri dy i PD, Flamur Noka, duke e bërë akoma më të rëndë situatën në këtë parti.

Atëherë, përse gjithë këto para të hedhura për lobime dhe denoncime e gjithë këto përpjekje të Berishës për të ngritur një alibi për humbjen e zgjedhjeve, kur në të vërtetë thellë thellë ai ka marrë rezultatin më të kënaqshëm të mundshëm, pasi konsolidon veten dhe familjen në krye të opozitës shqiptare, ka plot 50 deputetë në Kuvend nën siglën e tij, dhe ka lënë vetëm 4 deputetë në Kuvend, të cilët janë përfaqësues të opozitës jashtë grupimit të PD që drejton.

Për më tepër që Berisha tashmë, pas përzënies së Lulzim Bashës jo vetëm nga PD por dhe nga Parlamenti, arriti një objektiv madhor për të cilin ishte betuar që në momentin kur Lul Basha e pezulloi nga PD pas shpalljes ‘non grata’ nga qeveria amerikane. Njëherësh arriti dhe objektivin tjetër për të qënë interlokutori i vetëm i opozitës për ndonjë pazar të mundshëm, si dhe për ta përdorur PD-në si mburojë për hallet e tij familjare me drejtësinë dhe përballë SHBA e Britanisë që e kanë shpallur të padëshirueshëm.

Shenjat e para u dhanë, teksa u përzgjodh trupa gjykuese për aferën “Partizani” një përzgjedhje përmes shortit si ‘me dorë’, pasi e kryeson këtë trupë e afërmja e ish deputetes së PD, që ka në krahë dhe dy gjyqtarë të tjerë të ‘vdekur’ për Berishën dhe PD.

Madje njëra prej tyre vijon të jetë e ‘tërbuar’ për padrejtësinë që iu bë Fredi Belerit, krahut të djathtë të Berishës, me burgosjen e tij, për të cilin publikisht nuk ishte dakord që me këto prova që nuk i konsideronte, të mbyllej në burg. Jo më të dënohej. Pra, ‘leku hedh dhe ujin përpjetë’ kanë thënë motit të parët tanë.

Për hir të së vërtetës Berisha ka dy arsye se përse nuk e pranon publikisht rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe pse do të vijojë të hedhë vickla deri në shtator kur të bëhet konsitutimi i Kuvendit të ri, ku do të paraqitet dhe do të marrë pjesë në të gjitha seancat e mundshme parlamentare.

Në krye të herës Berisha e ka për forcë zakoni të kundërshtojë, të jetë kundër gjithçkaje. E ka ves këtë punë. Që në rininë e hershme ai nuk ka pranuar asgjë që nuk e ka bërë vetë. Në katund e në shkollë themi, se para Enver Hoxhës rrinte si ‘çeço’ ai, ishte komunist i devotshëm.

Berisha ka refuzuar njohjen e të gjitha humbjeve të veta në zgjedhje. Madje nëse lexon dhe njëherë tekstin e dorëheqjes pas humbjes shokuese të vitit 2013, zgjedhje që i organizoi vetë pasi ishte kryeministër, edhe atëherë akuzonte Ramën, se ‘bashkë me të gjitha qelbësirat’ vodhën e blenë vota me shumicë. Aq më tepër që zgjedhjet që zhvillon kundërshtari i tij politik, as që e çon në mendje t’i njohë në të gjitha herët. E ka fobi një gjë të tillë me sa duket.

Edhe pse për zgjedhjet e 11 majit të këtij viti, të gjithë ‘yjet’ e tregonin se do të shënonte një humbje të thellë në krye të opozitës, të paparë në tërë vitet e lindjes së PD. Pavarësisht lekëve të hedhura. Dhe Berisha e dinte, madje në ambiente të ngushta pas 11 majit, s’ngurronte të thoshte se kishin marrë më shumë se sa pritej mbështetje, me gjendjen në të cilën ka qënë PD këto vitet e fundit!

Duke qënë se Berisha për hir të së vërtetës brenda vetes është më se i kënqur me rezultatin e 11 majit, ka nën hyqëm 50 deputetë të ‘formatuar’ sipas shijeve të tij, u ka ‘montuar’ trurin e tij dhe janë të bindur deri në palcë e të vendosur për të besuar e përtypur të gjitha deklaratat e kryetarit të PD deri dhe ato më absurdet e të një universi paralel dhe jashtë realitetit, arsyeja e kontestimit e përpjekjet për të përbaltur zgjedhjet parlamentare të 11 majit është ligësia e tij.

Berisha është tmerrësisht i lig, dhe gjithnjë ka ecur me moton ‘pas meje, qameti’. Në të gjitha herët, dhe kur e ka rrjepur këtë popull, nuk është mjaftuar me kaq, por në fund të herës i ka vënë dhe zjarrin, herë përmes shkatërrimit të shtetit nga themelet si në vitin 1997 dhe herë duke i pjekur të gjallë shqiptarët si në Gërdec, apo duke i vrarë në protesta, si më 21 janar 2011.

Tani që nuk ka takat që të bëjë asgjë, pasi e ka treguar për tre vite me radhë se nuk i bën dot dy njerëz bashkë për të protestuar jo më të bëjë ndonjë revolucion, të gjithë janë të bindur, edhe në PD e sigurtë, se gjithçka që bën, e bën për interesin e tij personal. Sali Berisha përpiqet me të gjitha mënyrat që ligësinë e tij për të qënë kundër çdo arritjeje të këtij vendi, sado të vogël dhe që s’ka firmën e tij, ta hedhë poshtë përmes deklaratave brenda dhe jashtë vendit.

Nuk është rastësi se pikërisht ditën kur në Tiranë ishin mbledhur samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian 47 liderët më të rëndësishëm të BE dhe vendeve të tjera evropiane, mes tyre Macron, Merz, Meloni, Starmer dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti turk Erdogan etj, Berisha iku në Spanjë në një takim partiak duke sulmuar Shqipërinë dhe duke e quajtur narkoshtet e të papërgatitur për të qënë pjesë e BE, ndërsa u kthye në pikun e Samitit për të marrë pjesë në një protestë të vobekët të organizuar prej tij në një cep të Tiranës, kundër ‘vjedhjes së votës’ sipas tij.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e liderëve të këtyre partive ishin në Tiranë dhe uronin përzemërsisht Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.

Por me sa duket Berisha ka zënë ‘karar’ në përhapjen e ligësisë së tij për të tentuar sadopak përbaltjen e Shqipërisë, përmes disa rezulutave partiake të partive të qëndrës së djathtë, listën e të cilave asnjëherë nuk e bëri publike. Të cilat herë miratohen në Abixhan të Bregut të Fildishtë apo në Ulan Bator të Mongolisë, teksa dihet se si miratohen ato! Pavarësisht qëndrimit të liderëve në krye të qeverive respektive, të cilët e kanë ndarë me kohë dhe vakt partinë nga shteti.

Por Berisha këmbëngul dhe ‘sygjestion’ ithtarët e tij me deklaratat se janë miratuar 4 rezoluta të partive të djathta, mes të cilave dhe këto të fundit të IDC-CDI për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Që sipas Berishës është miratuar më datë 30 në Asambleja e Përgjithshme në Abixhan dhe që pason një rezolutë tjetër para zgjedhjeve të 11 majit, a thua kjo “Internacionale” e partive të djathta ka qëndruar e mbledhur dhe e ‘ngrehur’ për një muaj rresht vetëm e vetëm në dizpozicion të PD dhe të kreut të saj ‘non grata’. Sipas Berishës, farsa elektorale u godit nga organizata më e madhe në botë e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës.

Dhe Berisha nuk lë rast pa lexuar edhe tekstin e rezolutës, duke thënë se shprehet shqetësim se këto zgjedhje ishin një farsë politike. Ndalur në procesin e integrimit, Berisha thotë se rezoluta i bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike. “I bën thirrje BE që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike; Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal”, lexon Berisha.

Rezoluta është hartuar dhe propozuar nga PD me titull “Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”, në të cilën përmenden pretendimet e Berishës për zgjedhjet, blerje votash, presion ndaj votuesve dhe përdorim të administratës publike. Në rezolutë, sipas Berishës flitet gjithashtu edhe për “përndjekje gjyqësore” ndaj liderëve të opozitës, duke përmendur Ilir Metën, Sali Berishën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin. Mes të tjerash, në rezolutë, i kërkohet BE që të “kushtëzohet” përparimi i Shqipërisë. Dhe për tej, rezoluta ‘përmbush’ dhe dëshirën e Berishës për qeveri teknike dhe për zgjedhje të parakohëshme, si dhe gjëra të tjera të këtij lloji të cilat i kemi dëgjuar në ‘dorë të parë’ nga vetë Berisha në të gjitha daljet e tij publike.

Përpos ligësisë për të nxirë gjithçka nga Shqipëria, Berisha shtyhet në këtë maninë e rezolutave partiake të “internacionaleve’ dhe nga forca e zakonit, apo trashëgimia politike nga babai i tij shpirtëror Enver Hoxha. Edhe Enveri, diktatori komunist, kishte pas vetes një grup të gatshëm të partive Marksiste-Leniniste të mbarë botës, të rindërtuara sipas dëshirës së tij disa prej tyre, të cilat i mbante me lekë e me trajtime të mëdha sa herë që vinin në Shqipëri. Hidhte lekë Enveri atëherë, siç po hedh Berisha sot. E në të dyja herët, paratë janë marrë nga xhepi i shqiptarëve!

Mjafton të pyesin këta të rinjtë apo t’i thërrasin kujtesës të tjerët, në rastim e mbramë lë të hyjnë dhe në motorin e kërkimit ‘google’ dhe kanë për të gjetur vizitat e famshme të kreut të Partisë Komuniste të Brazilit Zhoao Amazonas dhe familjes së tij, ishin të gjithë në drejtim të partisë, kreun e PK të Spanjes Raul Marko, kryetarin e Partisë Komuniste marksiste-leniniste të Gjermanisë Erenst Aust, Fosko Dinuçin e Partisë Komuniste, marksiste- leniniste të Italisë, dhe të tjerë që mbaheshin me paratë e shqiptarëve, ndërsa vetë shqiptarëve të varfër u kishte ‘mbirë’ buka e misrit dhe turshia në bark, bashkë me tollonin. Ndërsa Amazonas mësoi dhe rakinë dhe hante vetëm koka qengji, e hajde e përballoje pastaj në çdo verë apo kohë kongresi familjarisht.

Dhe sa herë që Enver Hoxha kërkonte ndonjë mbështetje politike përmes deklaratave kundër imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe sionizmit izraelit, në ‘mbrojtje të lirisë së popujve por dhe të votës së lirë pa dhunën e këtyre shtypësve gjakpirës kapitalistë’, i kishte të gatshme në emër të këtyre partive deklaratat e rezolutat mbështetëse të këtyre partive ‘m-l’. Madje dhe me firmë e vulë kongresi respektiv. Vetëm i lexonte dhe ‘proletariati botëror’ ishte në të njejtën linjë me PPSH. Kërkojini e do t’i gjeni fotot e deklaratat e këtyre maksistë-leninistëve në Google! Pavarësisht se nuk kishin asgjë të dorë të ndikonin në politikën e vendeve respektive, Enver Hoxhës i duheshin thjeshtë për shqiptarët që kishte nën hyqëm. Të cilët ‘hanin bar’, pa asnjë mundësi zhvillimi apo demokracie. Por që mbanin me para dhe këta marksistë-leninistë.

Nuk ka ndryshime as Berisha me këto rezolutat e “Internacionaleve” të tij, të cilat përpilohen në Tiranë dhe çohen nga Albana Vokshi e Belind Këlliçi e lexohen në Bregun e Fildishtë apo në Mongoli. Berishës për militantët e tij i duhen këto rezoluta, për t’u treguar se zgjedhjet po kontestohe edhe nga ndërkombëtarët, anipse ata që thuhet se e kanë miratuar as që e dinë ku bie Shqipëria. Por ka paguar njësoj si babai i tij shpirtëror Enver Hoxha, që këto rezoluta të bëhen, para të shkuara dëm me një fjalë si në kohën e komunizmit me ‘marksistë’leninistë ashtu dhe tani me “Internacionalet’ e djathta të Berishës.

Atëherë në komunizëm ‘hanin bar’ por parimet nuk i shkelnin të gjithë shqiptarët, ndërsa tani vijojnë të ‘hanë bar’ demokratët, të cilët kanë nisur mandatin e katërt në opozitë. Ata që kanë mbetur pas rrudhjeve të vazhdueshme. Për më tepër që, për hir të së vërtetës vetëm në PPE, PD është anëtare, po me të drejta jo të plota dhe pa të drejtë vote, ndërsa në këto ‘internacionalet’ e tjera të partive të djathta, PD nuk është as anëtare me status këshillues e pa të drejtë vote. Nuk figuron fare! Ka figuruar dikur PDK e Zef Bushatit, ndërsa tani s’bëhet fjalë!

Megjithëse Berisha për të mbajtur me gajret militantët e tij vijon të paguajë për të lexuar anglisht rezoluta të shkruajtura në Tiranë, anipse krerët e shteteve respektive njohën zgjedhjet, uruan dhe përgëzuan Ramën për fitoren në zgjedhjet e 11 majit, deklaruan vijimin e bashkëpunimit me qeverinë e tij dhe mbi të gjitha deklaruan se në vitin 2030 Shqipëria bëhet anëtare e BE. Të ishin rezoluta të miratuara nga Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e KE apo e OSBE, do të kishin ndonjë vlerë.
Këto ditë është në Bruksel sërish Berisha, megjithëse këta të PPE-ve sikur nuk ia ‘vërshëllejnë’ shumë, nuk miratojnë rezoluta ata. Ku ka kërkuar të vijnë në Shqipëri për një mision faktbledhës për zgjedhjet, pa mundur të marrë konfermën e tyre. Rezolutë jo e jo!

Por sërish Berisha hodhi që andej helmin dhe ligësinë e tij. Duke e regjistruar, filmuar e shpërndarë me tabletin e tij nga Albana Vokshi. Për militantët e vet, kuptohet, të cilët janë përgatitur për të mbyllur 16 vitet radhazi në opozitë. Ndoshta dhe më tej, deri më 2033 sëpaku! Ani pse komisionerja për Zgjerimin deklasroi sërish sot nga Brukseli, si për inat të Berishës se është e e vendosur që brenda mandatit të saj të garantojë ‘martesën e Shqipërisë me BE”. Pra më 2030!