Pas largimit nga Tirana, ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini duket se po ndjek karrierën politike në Prishtinë. Ajo ka bërë me dije në rrjetet e saj sociale se do të garojë për kryetare të Komunës së Prishtinës në Kosovë. Lajmin e bëri me dije përmes një videomesazhi, por nuk e ka zbulua siglën politike me të cilën do të garojë. Po ashtu, ende nuk ka një datë për zgjedhjet lokale. Mediat në Kosovë shkruajnë se Presidentja Vjosa Osmani ka planifikuar të mbajë një takim të rëndësishëm politik me qëllim përcaktimin e datës, ndërkohë që ende nuk është formësuar qeveria e re pas zgjedhjeve parlamentare.
“Menjëherë pas konsultimeve, presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve,”- ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani. Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës doli e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Para 4 viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, nga një qytet që e dua fort që ka një potencial të jashtëzakonshëm, por i cili ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vetë. Është një qytet kryesisht i mbuluar në beton, pa hapësira të mbajtueshme të gjelbra, kryesisht i papastër…edhe jo shumë miqësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi. Ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025. Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhe që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim,”-thotë Besa Shahini.
Besa Shahini ka qenë pjesë e kabinetit “Rama 2”. Ajo mori detyrën si ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë në vitin 2019 dhe e dorëzoi tek Evis Kushi thuajse një vit më pas. Edhe pse qëndroi në Tiranë, Shahini nuk u përfshi më në politikë, por solli në jetë vajzën e saj, për t’u zhvendosur më pas sërish në Prishtinë, ku është angazhuar në aktivitete të shoqërisë civile. Nuk përjashtohet mundësia që Shahini të garojë si kandidate e pavarur, ose nën siglën e partisë së bashkëshortit të saj, Dardan Molliqaj. Ky i fundit, pas largimit nga Lëvizja VetëVendosje, tashmë drejton Partinë Socialdemokrate (PSD). Edhe pse larg Kuvendit, ai është shpesh pjesë e lajmeve, për shkak se arrestohet dhe procedohet për protestat që ai mban kundër qeverisë së Albin Kurtit.