Vlora nga sot do të furnizohet normalisht me ujë. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime për Vlorën Ermal Murati ka dal në një deklaratë për mediat duke kërkuar mirëkuptimin e banorëve për gjithë situatën e krijuar në 15 ditët e fundit dhe duke njoftuar se në përfundim është rikuperuar e gjithë situata e krijuar.

Nga sot, lagjet problematike si Kushtrimi, Pus Mezin, Lirim, fshati Nartë do të furnizohen normalisht me ujë. Sipas Muratit problemi ka ardhur për shkak të rënies së presionit të ujit, shkaktuar nga luhatje e tensionit të energjisë në pompa dhe mosfunksionimit zinxhir më pas të linjës së amortizuar të Ujësjellësit aktual.

Murati ka shpjeguar se është duke u punuar në vazhdimësi për projektin e ri, i cili do ti jap zgjidhje përfundimtare çështjes së ujit, e sipas tij, brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm linja e re do të jetë gati.

Nga ana tjetër Murati ka njoftuar edhe disa projekte të reja të Ujësjellësit për fshatin Zvërnec, Nartë, Akërni.

Çështja e ujit ka qenë një nga hotspotet për qytetin bregdetar. Ndërsa pas kalimit të Kësaj shoqërie nga Bashkia tek MIE Vlora ka përfituar një projekt me vlerë totale rreth 20 mln euro, i cili aktualisht është në fazë punimesh e që përfundon vitin e ardhshëm, duke garantuar furnizim 24 orë me ujë.