Afati për paraqitjen e kandidaturave për postin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit është zyrtarisht mbyllur, ndërsa vëmendja tani është përqendruar te emrat që do të kalojnë filtrat e përzgjedhjes për të marrë drejtimin e këtij institucioni kyç të drejtësisë.

Një nga kandidaturat më të spikatura është ajo e Gledis Nanos, ish-drejtor i Policisë së Shtetit, i cili mësohet se ka dorëzuar dokumentacionin zyrtar ditën e enjte. Ndërkohë, në listën e aplikantëve pritet të jetë edhe emri i Joni Ketës, aktualisht zv.drejtor i Byrosë, i cili konsiderohet një nga pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e institucionit.

Ndërkohë, jashtë garës ka mbetur Aida Hajnaj, drejtuesja aktuale e BKH-së, mandati i së cilës përfundon më 31 gusht. Edhe pse kishte të drejtë ligjore për të kandiduar pa kaluar nëpërmjet një gare të hapur, Hajnaj nuk dorëzoi aplikimin dhe kësisoj, automatikisht u skualifikua nga mundësia për një mandat të dytë.

Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri të BKH-së zhvillohet pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nga një komision i posaçëm i përbërë nga tre prokurorë: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra. Kandidatët do të kalojnë një proces me shtatë faza vlerësimi, përfshirë testin e arsyetimit logjik, provën fizike, një ese me shkrim, intervistën, kontrollin shëndetësor, verifikimin e pasurisë dhe testin e poligrafit (detektorit të gënjeshtrës).

Në javët në vijim pritet të bëhet publik edhe short-lista e kandidatëve që do të kalojnë në fazat e mëtejshme, ndërsa gara për drejtimin e BKH-së pritet të jetë më e fortë se kurrë më parë, për shkak të rëndësisë që ky post ka në kuadër të hetimeve të nivelit të lartë kundër krimit dhe korrupsionit./Lexo.al