Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, e konsideron gjithë procesin e rinumërimit si një fyerje ndaj integritetit të numëruesve të opozitës dhe shprehet se ndaj tyre duhet të kërkohet ndjesë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kruja thotë se pas përfundimit të rinumërimit, është e qartë se nuk ka pasur asnjë manipulim apo shkelje që të justifikonte akuzat e bëra pas zgjedhjeve. Ai u shpreh se numëruesit e PD-së janë njerëz me integritet, të cilët u vunë padrejtësisht në shënjestër dhe për këtë i gjithë kampi opozitar dhe Berisha u detyrohet një ndjesë publike.
“Tani që rinumërimi i Tiranës mbaroi, të gjithë i detyrohemi një ndjesë të madhe numëruesve tanë, puna dhe integriteti i të cilëve, me apo pa dashje, u vu në dyshim. Vajza e djem, gra e burra që sakrifikojnë çdo ditë për atë që besojnë. Respekt.”- shkruan Kruja.
Pas nëntë ditësh rinumërim të të gjitha kutive të votimit në qarkun e Tiranës, procesi u mbyll pa asnjë surprizë, duke mos sjellë asnjë ndryshim në ndarjen e mandateve mes partive politike, as brenda vetë listave të kandidatëve.