Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Elbasanit ishte në fokus të emisionit ‘Frontline Interview’ në Report Tv, ditën e sotme, ku ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se problematikat që kanë dal nga rinumërimi kanë qenë të vogla dhe nuk kanë asnjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.
Mazniku, i cili është edhe drejtuesi politik i PS në Elbasan, tha se rinumërimi i votave po përdoret si alibi nga PD për humbjen që mori në zgjedhje.
‘Problematikat për Elbasanin janë të vogla dhe ishte e pritshme për shumë arsye. Aty mund të ketë gabime proceduriale por jo të ndryshohet rezultati. Ky verifikim është bërë sa kohë e parashikon ligji dhe ka qenë një shpenzim i kot energjie. Ishte një proces që u vëzhgua nga shumë pak, nga media dhe u numërua nga numërues të PD dhe kur doli rezultati dolën thanë ato që thanë. PD i duhet një alibi për humbjen dhe për të zgjatur agonin e një fakti që shqiptarët kanë zgjedhur që të besojnë tek PS. Ata nuk kanë pranuar një të vërtetë që është shumë evidente’, tha ai.
Një koment e pati edhe akuzat e PD se në zgjedhjet e 11 majit pati ‘tren bullgar’.
‘Koncepti i trenit bullgar është kur një person merr një fletë votimi e nxjerr jashtë, e plotëson futet brenda në qendrën e votimit dhe merr fletën e votimit dhe nuk hedh atë në kuti, por atë që kishte të plotësuar. Aty ka pasur kamera dhe vëzhgues dhe s’ka asnjë fakt të vetëm që kjo gjë të ketë ndodhur, duhet që të provohen ato që thuhen jo të supozohet’, tha ai.
Teksa u pyet lidhur me parashikimin e tij se PS do të merrte mbi 80 mandate, ai tha se ky parashikim erdhi duke parë sondazhet dhe të dhënat në terren.
‘PS është një forcë profesioniste e organizmit elektoral. Nuk ka asnjë qendër votimi ku nuk ka një strukturë të PS, ata janë anëtarët e partisë dhe janë struktura jonë që merret me identifikimin e votuesve. PS është në punë 4 vite, nuk ndalon. Ka filluar puna për zgjedhjet e tjera. Ka nisur analiza në çdo qendër votimi, pse morëm kaq vota, kush mungoi. Kombinimi i të dhënave historike dhe sondazheve si edhe të dhënave nga territori bëri që të dal ajo shifër’, tha ai.
Ministri sqaroi edhe ligjin për bashkëpronësinë, për të cilin tha se synon të rrisë angazhimin e qytetarëve që jetojnë në pallat për mirëmbajtjen e godinës.
‘Ne sot jemi 430 mijë familje jetojnë në pallate në objekte me shumë hyrje. Ne jemi të qartë mbi atë që është pronë private dhe publike. Por e kemi më të paqartë atë që është pronësia e përbashkët e familjeve që jetojnë në një pallat dhe nuk është e pjesës tjetër të qytetit. Dhe kjo ka të bëjë me ata që do të merren me pastrimin, administrimin dhe kjo është detyrim për tu bashkëadministruar. Por ligji ekzistues kishte disa mangësi që u organizuan më mirë me këtë ligj. I vendoset një detyrim kadastrës që të prodhojë certifikatën e bashkëpronësisë dhe thuhet ka kaq shkallë dhe sipërfaqja që çdo familje ka. Ti ke shtëpinë 80 që ke 20 në bashkëpronësi dhe kjo i shtohet banesës’, tha ai.
Ai tha se nuk ka synim për të kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës nëse mund të hapet gara.
‘Unë jam i angazhuar në punën që po bëjë, jam zgjedhur që të jem pjesë e parlamentit. Tani faza ime është kjo ku jam dhe dua që të përfaqësojë Elbasanin si duhet për besimin që na dha’, tha ai.