Rinumërimi në Tiranë po ecën, por surpriza… nuk ka! Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, kutitë po hapen një nga një që prej orës 09:00 të mëngjesit. Deri tani janë rinumëruar 798 kuti nga 1282, ose 62% e totalit – dhe trendi? I njëjtë.

Gabime të vogla, zhurmë e madhe
Gabimet që po dalin janë më shumë teknike sesa politike. Nuk ndryshojnë mandatet, nuk ndryshojnë as renditjet e kandidatëve. Por shifrat? Po zhvendosen.

PD në rënie: 418 vota që nuk i takonin
Demokratëve u janë zbritur deri tani 418 vota që s’i përkasin. Partia Socialiste ka përfituar 316 vota më tepër se ç’duhej. As këta nuk i mbajnë. Vota të pavlefshme, ose të “rrëmbyera” nga partitë e vogla.

Koalicionet e vegjël me xhepa plot

Nisma Shqipëria Bëhet: -37 vota

PSD: -29 vota

Lëvizja Bashkë: -33 vota

Partia Mundësia: -30 vota

Ndërsa Koalicioni Euroatlantik merr +28 vota dhe Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Alibeajt +5 vota të “humbura” nga numërimi i parë.

Emra të mëdhenj, vota të pamerituara
Kandidatët? Edhe ata me vota që nuk i takojnë:

Ilir Alimehmeti (PD): -85 vota

Ilir Meta: -59 vota

Myslim Murrizi: -51 vota

Jorida Tabaku: -69 vota

Në PS, më i “përfituesi” është Ervin Hoxha me +263 vota. Pas tij, Fatmir Xhafaj (+129), Xhemal Qefalia (+123), Erion Braçe (+129). Ky i fundit reagoi ashpër, duke akuzuar KAS për “fshirje votash të pastra”.

Krim apo gabim? KAS s’flet me akuza
Anëtari i KAS, Koli Bele, sqaroi dje për mediat: “Ky është proces administrativ, jo hetim penal”. Ai shtoi se rezultati përfundimtar për Tiranën pritet të shpallet deri të hënën. Pas Tiranës, radha i vjen Fierit dhe pjesërisht Durrësit./Lexo.al