Nga Hermes Kafexhiu

Një dekadë më parë, dikush do të thoshte: “Kur flet kutia, mbyll gojën politika.” Por ja ku jemi më 2025-ën, në një sallë sporti në Tiranë, ku kutitë flasin për të disatën herë, dhe politika vazhdon të bërtasë sikur s’ka dëgjuar asgjë. Sepse, siç duket, disa janë më të interesuar të bëjnë zhurmë për rinumërimin, sesa të dëgjojnë çfarë thonë votat.

Rinumërimi? Ai moment i shumëpritur si zbulimi i madh, që do rrëzonte “manipulimin”, do trondiste sistemin, do kthente drejtësinë, e mbi të gjitha do i kthente mandatin “Ilirit”  u kthye në një farsë numerike ku rezultati i madh ishte, 3 vota më shumë për Agronin, 4 për Lulin, 1 për Metën… një votë për kokë, e thua se ishim në një lojë tavoline me zar. Po për Joridën? +10. Uau. Ka marrë më shumë vota se ndjekës në TikTok nga postimi i fundit.

Le të jemi të qartë: kjo nuk ishte për të kërkuar të vërtetën. Kjo ishte një përpjekje e dëshpëruar për të shpikur një gabim, ku realisht ka vetëm rezultate të konfirmuara. Një alibi politike e veshur me petkun e transparencës. Një teatër pa publik, ku regjisori e ka harruar skenarin, dhe aktorët ata që kanë humbur po shpresojnë të fitojnë ndonjë rol në pjesën tjetër.

E gjitha kjo për të zbuluar… që s’ka asgjë për të zbuluar. Të njëjtat vota, të njëjtët kandidatë, të njëjtat mandate. Një mal me kuti për të gjetur një grusht votash që nuk ndryshojnë as fundin e listës.

Ndërkohë, populli sheh: rinumërojnë, rrinumërojnë dhe vetëm numri i fjalimeve boshe rritet. Pse? Sepse politika jonë nuk ka më ide, ka vetëm taktika. Nuk ka më beteja, ka vetëm pretendime. Dhe kur s’ka ç’të thotë më, rinumëron nga mërzia ose nga halli.

KQZ e bëri punën e vet. Votat folën. Institucionet u lodhën. Publiku? Ai thjesht u zhgënjye edhe një herë më shumë.

Më në fund, ajo që pritej sikur çdo bwhej… doli një pordhë me rigon. Dhe më e keqja? Nuk kishte as erë fitoreje.