Nuk ka shumë gjëra që Cristiano Ronaldo nuk i ka bërë në karrierën e tij rekordthyese deri më sot. Por 40-vjeçari shënoi një tjetër arritje të mërkurën. Sulmuesi shënoi golin e fitores së Portugalisë kundër Gjermanisë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke shënuar herën e parë që Ronaldo ka mposhtur “Die Mannschaft”.

Ronaldo i kishte humbur të pesë ndeshjet e mëparshme të luajtura kundër Gjermanisë dhe Portugalia nuk e kishte fituar ndeshje ndaj tyre prej 25 vitesh. Përveçse i dha fund rekordit të padëshiruar, kjo fitore e dërgoi Portugalinë në finalen e Ligës së Kombeve të UEFA-s më 8 qershor, ku do të përballet ose me kampionen në fuqi, Spanjën, ose me Francën.

Goli ndaj Gjermanisë ishte i 137-të ndërkombëtar i Ronaldos për Portugalinë dhe i 937-ti në karrierën e tij. Herën e fundit që Portugalia e mundi Gjermaninë ishte në Euro 2000, kur Sérgio Conceição shënoi një tregolësh gjatë fazës së grupeve.

E ardhmja e Ronaldos e pasigurt

Pavarësisht moshës së tij dhe faktit që ka luajtur në Arabinë Saudite për tre sezonet e fundit, Ronaldo ka dëshmuar edhe një herë se ka aftësinë të luajë ende në një nivel të lartë. Por se ku saktësisht do të luajë ai sezonin e ardhshëm ende nuk dihet. Tani për tani mendohet një largim nga Al Nasr. Kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni, duke e lënë portugezin të lirë që të nënshkruajë me çdo klub që zgjedh.