Në një takim të nivelit të lartë në Vlorë, ku morën pjesë 25 kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të larta nga Evropa Qendrore, Lindore dhe SHBA, u theksuan qartë tre prioritete për drejtësinë: pavarësia e gjyqësorit, përballja me sfidat globale dhe dixhitalizimi i sistemit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e hapi konferencën duke e lidhur vendin simbolik të zhvillimit me aspiratat për një sistem të drejtë e të pavarur:

“Vlora na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë. Drejtësia që duam është drejtësi pa kompromis.”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi rolin e gjyqësorit në garantimin e demokracisë dhe në procesin e integrimit evropian:

“Pavarësia gjyqësore nuk është privilegj, por garanci për paanshmëri. Gjyqtari është një aktor kyç në përafrimin e sistemit tonë me standardet e BE-së.”

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi investimin më të madh deri më tani për drejtësinë dixhitale, duke nënvizuar se deri në vitin 2027 Shqipëria do të funksionojë me një sistem tërësisht të digjitalizuar:

“Janë alokuar mbi 10.7 milion euro për sistemin ICMIS, i cili do të transformojë mënyrën se si funksionon drejtësia në vend. Kjo është rruga drejt një drejtësie më transparente dhe më efikase.”

Konferenca që zhvillohet për herë të dytë në Shqipëri përforcon rolin e saj si platformë për diskutime mbi forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përgatitjet për pritjen e Kongresit Botëror të Drejtësisë në vitin 2027.