Nga Fatos Tarifa
Kush mendon se je ti, o faqezi, që s’lë gjë pa bërë dhe fjalë pa thënë t’ia nxish faqen Shqipërisë!
Kush mendon se je ti, Sali Berisha, që ma quan Shqipërinë time–Shqipërinë e prindërve të mi, të fëmijëve, të mbesave e të nipërve të mi, Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve që e duan këtë vend, edhe nëse mund të kenë zgjedhur të jetojnë diku tjetër, Shqipërinë tonë–“ferrin” e Europës!
Kush mendon se je, o plak i rrjedhur, që s’le gjëmë të zezë pa i bërë këtij populli e këtij vendi, të cilin e shkatërrove me rrënjë, që tani u thua një grushti njerëzish në PPE se Shqipëria është burimi i të gjitha krimeve në Europë!
Kush mendon se je ti, o humbës i madh, që Shqipërinë tonë të shtrenjtë, e cila nuk të do e të ka hedhur përfundimisht në landfillin e historisë së vet, e përdhos si të mos ishte edhe vendi tënd, por një tokë monstrash e vampirësh që hanë njëri-tjetrin, korruptojnë, drogojnë, vjedhin e vrasin europianë!
Kush mendon se je ti, o njeri primitiv, që s’të qytetëroi dot as socializmi, të cilit i shërbeve përunjësisht, as kapitalizmi, të cilin s’arrite ta kuptoje dot, as demokracia, që s’e kuptove, nuk e doje dhe e pengove të ndërtohej, që tani përpiqesh t’ua shesësh një grushti njerëzish në Bruksel si të parin dhe të vetmin narkoshtet në Europë!
Vërtet beson se ata, apo kushdo tjetër që i njeh Shqipërinë dhe shqiptarët, të besojnë? Ti, Sali, je shqiptari më pak europian i këtij vendi dhe i fundit njeri primitiv i tij. I fundit njeri të cilit mund t’i besohet.
Kuptoje, o burrë, nëse paniku që të ka zënë të ka lënë sado pak arsye në kokë, se shqiptarët nuk të duan. Dhe atë që s’ua merr dot me votë, nuk mund t’ua marrësh dot duke ua sharë në Bruksel vendin e të parëve të tyre, vendin e tyre dhe vendin e fëmijëve të tyre.
Kjo është Shqipëria e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, edhe e atyre që s’janë të kënaqur me gjendjen e sotme të saj, por e duan vendin e tyre, por ti, Sali, nuk bën pjesë ndër ta. Ti je nje renegat. (DITA)