Një ditë pas publikimit të lajmit të shtyrjes edhe me një vit të urdhrit ekzekutiv mbi gjendjen e jashtëzakonshme në Ballkanin Perëndimor, Sali Berisha u përball me një pyetje konkrete nga gazetarët: Çfarë mendon për vazhdimin e kësaj politike, ku përfshihen edhe “non gratat” si ai vetë?

Por pyetja mbeti pa përgjigje, duke zgjedhur të shmangë temën dhe të devijojë vëmendjen drejt Edi Ramës. Ai deklaroi se SHBA-të nuk e kanë me të, por me qeverinë “Ramaduro”, duke akuzuar kryeministrin për lidhje me kartelet e drogës dhe duke përdorur referenca nga Gim Nesho i Partisë së Lirisë për të mbështetur pretendimet e tij.

“Tre ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë u damkos nga media kryesore numër një në SHBA. Tre javë më parë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë solli mesazhin për të luftuar kartelet e drogës në Shqipëri. A është përmendur ndonjëherë drogë për mua? Jo. Ramaduro po, kartelat po, ndaj këto janë kambanat që bien,” – deklaroi Berisha, duke shmangur në mënyrë të qëllimshme të gjitha faktet që e lidhin atë me listën e individëve të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Por, ndryshe nga sa pretendon ai, urdhri ekzekutiv i rinovuar nga Trump nuk përmend vetëm trafikantë droge apo struktura kriminale, por flet në mënyrë eksplicite për ata individë që kanë minuar proceset demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor – një kategori në të cilën është përfshirë vetë Berisha nga administrata amerikane që në vitin 2021, të cilin, siç u pa, po e vazhdon edhe administrata e re republikane.

Ndërkohë që ish-kryeministri përpiqej me retorikën e përhershme dhe akuzave të përndjekjes politike, kryeministri Rama merrte pjesë në samitin e NATO-s, në cilësinë e përfaqësuesit të Shqipërisë në organizatën ku partneriteti me SHBA-të mbetet jetik për popullin shqiptar.