Shpallen projektet fituese të financuara në kuadër të Programeve Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për vitin 2025. Me një rritje prej 40% krahasuar me një vit më parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka financuar këtë vit 181 projekte në 6 programe kryesore, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve kombëtare për zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), Mirela Muça, rektorë të universiteteve më të rëndësishme në vend, kërkues shkencorë, përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë që ka mbështetja e kërkimit shkencor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, si dhe angazhimin e qeverisë për të rritur çdo vit fondet dhe mundësitë për kërkuesit shqiptarë.
“Sot ne prekim një tjetër realitet të mbështetjes tonë të qëndrueshme për kërkimin shkencor dhe që lidhet me projektet fituese të cilat shpallen nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Unë do të doja të përmendja vetëm disa shifra që besoj janë të rëndësishme kur flasim për hovin cilësor të mbështetjes për kërkimin shkencor:
Qeveria Shqiptare, përmes mbështetjes së AKKSHI, po realizon për institucionet e arsimit të lartë, për partneritetet që institucionet tona kanë krijuar me projektet bilaterale dhe gjithashtu mes akademisë dhe biznesit.

Kemi qenë përpara pak vitesh vetëm me dy programe financimi për kërkimin shkencor, sot kemi 6 programe. Në muajin qershor ne hapim një tjetër program të ri që lidhet me mbështetjen për doktoraturat e fushave prioritare të kërkimit shkencor dhe që i shërbejnë zhvillimit social-ekonomik dhe teknologjik të vendit tonë. Burimet tona njerëzore, financiare, teknologjike, investimet të cilat ne po i bëjmë çdo vit nëpër universitetet tona të mundën të vendosen në shërbim të kërkimit shkencor dhe të shkencës. Në universitetet tona, ne sot po investojmë në infrastrukturën e kërkimit shkencor me hapa të mëdha.”, tha në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Këtë vit janë mbështetur projekte që mbulojnë 6 fusha prioritare: Biodiversiteti dhe mjedisi; bujqësia, ushqimi dhe bioteknologjia; shëndetësia dhe shkencat mjekësore; sistemet dhe teknologjitë e informacionit; shkencat sociale dhe albanologjike; si dhe uji dhe energjia. Ministrja Manastirliu tha se u ndal te mbështetja reale për kërkimin shkencor:

“Janë shumë të rëndësishme mënyra se si ne tani do ta zhvillojmë kërkimin shkencor me të gjithë këto potenciale që kemi. E para janë burimet tona njerëzore, nuk është pak të angazhohen 500 kërkues shkencorë në vit në 181 projekte në vit, ku 73 prej tyre janë projekte të kërkim-zhvillimit, të cilat do të pasohen me publikime në revistat shkencore. 55 prej tyre financohen nga AKKSHI dhe projekti READ i AADF, të hartuara nga kërkuesit shkencorë të universiteteve tona dhe diaspora akademike, që për herë të parë mbështeten edhe nga Qeveria Shqiptare përmes AKKSHI. Janë 21 projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor që financohen këtë vit, janë 12 projekte akademi-biznes dhe janë me dhjetëra projekte që financojnë projektet e mobilitetit me vendet europiane si Austria, Italia apo edhe vende të tjera. Kemi më shumë se trefishuar në 4 vite mbështetjen financiare për kërkimin shkencor mbi bazën e projekteve. Kemi rritur me rreth 30% fondet për kërkimin shkencor dhe sot kemi në vit rreth 8 milionë euro për projektet e kërkimit dhe zhvillimit në të gjitha projektet që AKKSHI financon.”, tha Ministrja Manastirliu, duke veçauar dhe përfshirjen e diasporës dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në kërkimin shkencor si element thelbësor për rritjen gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu ligji i ri për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor krijon mundësi të reja për të gjitha institucionet kërkimore, përfshirë universitetet, duke synuar ngritjen e qendrave të ekselencës dhe forcimin e kapaciteteve konkurruese. Ministrja Manastirliu nënvizoi se publikimet ndërkombëtare janë treguesi i vërtetë i progresit dhe ambicies për rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor në vend.

“Ligji i ri për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor i hap një dritare të re mbështetjeje të gjithë institucioneve kërkimore-shkencore, ku përfshihet jo vetëm Akademia e Shkencave dhe institutet kërkimore, por edhe universitetet për të ngritur qendra ekselence, për të krijuar njësi të kërkimit shkencor, për të zhvilluar potenciale konkurruese brenda universitetit, për të rritur nivelin e kërkimit shkencor në Shqipëri. Dhe sa herë që ne të citohemi nëpër publikime në revistat ndërkombëtare, aq herë ne do të themi që po, këtu kemi përparim. Ky është indikatori i vërtetë i kërkimit shkencor. Kjo është ambicia jonë.”, deklaroi Manastirliu.
Takimi i sotëm vjen në një moment vendimtar për procesin e integrimit europian. Vetëm pak ditë më parë në Bruksel u hapën negociatat për kapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, ku Ministria e Arsimit dhe Sportit udhëheq kapitullin 25, dedikuar kërkimit shkencor. Në këtë kontekst, mbështetja për shkencën shqiptare dhe harmonizimi i legjislacionit me BE-në janë prioritete të qarta.

“Pak ditë më parë janë hapur negociatat për dy grup-kapituj, dy prej të cilëve i përkasin arsimit dhe tjetri, grupi 25, i përket kërkimit shkencor dhe tashmë jemi vendosur në të tjera kushte dhe ne na duhet që të punojmë së bashku. Kur them së bashku, nuk e kam fjalën vetëm te universiteti, e kam fjalën edhe te biznesi, edhe te diaspora akademike, edhe te ndërkombëtarizimi i kërkimit shkencor, si elemente të cilët rrisin potencialin për të arritur rezultate më të shpejta dhe më të qëndrueshme në fushën e arsimit të lartë, cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në aktivitetitin ku u shpallën projektet fituese të Programit Kombëtar të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për vitin 2025.