Klevis Hoxhaj
Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian miratoi të mërkurën raportin për Shqipërinë, duke sjellë në vëmendje mes rreshtave ndërhyrjet keqdashëse në vend, specifikisht nga Kremlini.
“Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënon institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE”, shkruhet në dokumentin zyrtar të AFET-it.
Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post, lidhur me natyrën e këtyre kërcënimeve, mekanizmat e identifikuar dhe se si ato mund të ndikojnë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjurmët e dyshuara ruse u dëshmuan edhe në rastin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votimet e 11 majit.
Sulmet e tyre i ngjanë pikërisht situatave në vende të tjera të Evropës, si Franca apo Estonia.
Aty ku autorësia i takon pikërisht Njësisë 26165 nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse.
Disa ditë më parë, rindërtimi i ngjarjes u zbulua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.
Sipas tij, platformat online të KQZ-së u gjendën nën sulme kibernetike përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Celiashi shpjegoi se ka pasur 192 milionë kërkesa në shtatë ditë, ku piku më i lartë ka arritur me 5 mijë e 700 kërkesa në sekondë.
“Nga të dhënat që kemi, rezulton se një pjesë e madhe e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara”, shtoi Celibashi.
Celibashi pohoi se komisioni ka komunikuar me institucionet përkatëse për këtë situatë, si me ato të sigurisë kibernetike por dhe me ato që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve.
Hija e Kremlinit
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zbuloi në fund të vitit të kaluar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar kundër Dezinformimit se përgjatë periudhës kohore 2023-2024, Shqipëria është përballur me sulme të tjera kibernetike të infrastrukturave të saj kritike të informacionit.
Sipas tij, në përgjigje të formave të reja të kërcënimeve të shfaqura dhe në kuadër të respektimit të angazhimeve si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kuadrit ligjor strategjik.
Zyrtari i lartë theksoi se nga analiza e bërë rezulton se vendi ynë ka një kuadër të plotë ligjor dhe strategjik në fushën e sigurisë kombëtare dhe për mbrojtjen nga sulmet me natyrë hibride si dhe nga aktivitete të ndryshme të të ashtuquajturës “Zonë Gri”.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha u shpreh se format e luftës hibride, janë bërë më “të sofistikuara” dhe “të ndërlikuara”.
Këto, duke kombinuar mjete ushtarake dhe jo-ushtarake, metoda të fshehta dhe të hapura, si dhe përdorimin e dezinformimit nëpërmjet sulmeve kibernetike, presionit ekonomik e investimeve të kushtëzuara në funksion të destabilizimit të rendit demokratik shoqëror dhe disfunksionimit të institucioneve shtetërore.
“Vlerësimet e institucioneve të ndryshme të vendeve evropiane dhe ato amerikane, burimet e inteligjencës të vendeve partnere, por edhe vlerësimet e strukturave tona të specializuara, konkludojnë se autorët kryesorë të fushatave hibride dhe formave kryesore të tyre në sulmet kibernetike si dhe të çdo aktiviteti tjetër të ‘zonës Gri’ janë aktorë shtetërorë dhe organizma të sponsorizuar prej tyre, dhe më pak organizata biznesi jo-qeveritare”, tha ministri.
Për zyrtarin shqiptar, aktorë kryesorë të luftës hibride dhe në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four“: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.