Brenda pak orësh, në një zhvendosje të pazakontë por domethënëse, transmetuesi britanik GB News kaloi nga një artikull i mbushur me akuza të ashpra ndaj shqiptarëve – të artikuluara nga populisti Nigel Farage – në një artikull që lavdëronte Shqipërinë si destinacionin ideal të pushimeve për britanikët që kërkojnë plazhe me “rërë të artë” dhe çmime të lira.
Farage sulmoi një ditë më parë publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama pas komenteve të këtij të fundit mbi situatën e Britanisë pas Brexit-it.
Ai përdori shifra të paqarta dhe një retorikë përçarëse, duke pretenduar se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg” dhe duke bërë thirrje për riatdhesimin e të gjithë “kriminelëve shqiptarë”.
Komentet e tij, të pasqyruara vetëm nga GB News dhe të injoruara nga shumica e mediave të tjera britanike, u interpretuan si një përpjekje për të ndezur emocionet kundër emigrantëve dhe për të ushqyer narrativën nacionaliste post-Brexit.
Por befas, mëngjesin e ditës pasuese, e njëjta media publikoi një artikull që promovonte Shqipërinë si një perlë të pazbuluar të turizmit veror.
Sipas tyre, qyteti bregdetar i Durrësit ka parë një rritje prej 224 për qind në rezervime nga turistët britanikë. Me përshkrime idilike dhe çmime të përballueshme, Shqipëria u prezantua si alternativa perfekte ndaj destinacioneve klasike si Spanja apo Greqia.
Ky kontrast tronditës në qasje mediatike nuk është rastësi.
Ai pasqyron një model të njohur të mediave të djathta britanike, që shpesh përdorin komunitete të caktuara emigrantësh si shënjestra për frikësim dhe instrumentalizim politik – dhe më pas i përdorin të njëjtat vende si sfond për narrativa tërheqëse turistike, në varësi të interesave të ditës.
Ky nuk është rasti i parë ku shqiptarët janë përdorur si “kokë turku” në debatet britanike për emigracionin.
Në tetor të vitit 2022, ish-ministrja e Brendshme Suella Braverman u përball me kritika të forta nga komuniteti shqiptar dhe vetë kryeministri Rama, kur deklaroi se “Laburistët do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend”, duke e quajtur fluksin e emigrantëve një “pushtim” të bregdetit jugor të Anglisë.
Rama iu përgjigj në mënyrë të prerë, duke e quajtur këtë qasje “të turpshme” dhe “një veçim të qëllimshëm politik”.
Tendenca për të keqinterpretuar statistikat ose për të prodhuar raporte me prirje të caktuara ideologjike është bërë gjithnjë e më e zakonshme.
Në janar 2024, disa media si The Telegraph dhe Daily Mail, duke cituar një think-tank të panjohur të quajtur “Centre for Migration Control” (CMC), raportuan se shqiptarët ishin kombësia me më shumë gjasa për t’u arrestuar për krime në Britani.
Por Home Office e hodhi poshtë zyrtarisht për Albanian Post vlefshmërinë e këtyre statistikave, duke deklaruar se nuk përpilon të dhëna mbi kombësinë në arrestime.
CMC-ja, e drejtuar nga figura të lidhura me lëvizjet euro-skeptike dhe pro-Brexit si “Get Britain Out”, rezulton të jetë një riemërtim i një organizate të vjetër që operon nga Tufton Street – zemra e lobingut të djathtë në Londër.
Siç deklaroi në fillim të vitit për Albanian Post, kryereporteri i “Byline Times”, Josiah Mortimer: “Ky është një raportim thellësisht mashtrues që synon të formësojë opinionin publik përmes statistikave të shtrembëruara”.
Dr. Andi Hoxhaj, akademik shqiptar në King’s College dhe i dekoruar me Urdhrin OBE për kontributin në marrëdhëniet MB-Shqipëri, ka ndjekur nga afër këto zhvillime.
Ai konstatoi gjithashtu për AP-në në muajin janar se komuniteti shqiptar shpesh përdoret si shembull negativ për të shtyrë agjenda më të ashpra migracioni, pa pasur instrumente reale për t’i kundërshtuar këto narrativa.
Ndërkohë, të njëjtat media që përdorin shqiptarët si një “kërcënim”, brenda 24 orësh i kthejnë në ikonë të pushimeve të lira. Ky është një cikël i shfrytëzimit narrativ, ku emigranti shqiptar “denigrohet” për klikime politike dhe më pas vendlindja e tij zbukurohet për klikime turistike.
Ky idealizim për konsum është pasqyrë e një Britanie të ndarë mes fushatave të frikës dhe kërkesës për përfitim ekonomik.
Dhe shqiptarët, sërish, janë në mes të kësaj lufte mediatike.